Vdes kryetari i Kuvendit të Republikës Çeke, Jaroslav Kubera

  • 20 January 2020 - 14:25
Vdes kryetari i Kuvendit të Republikës Çeke, Jaroslav Kubera

Kryetari i Dhomës së Lartë të Kuvendit të Çekisë, Jaroslav Kubera, vdiq të hënën në mëngjes në moshën 72-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e këtij institucioni.

Kubera fundjavën e kaluar mbajti një fjalim në kongresin e partisë së cilës i përkiste dhe nuk është raportuar se është duke vuajtur nga ndonjë sëmundje serioze.

Pozita e kryetarit të Dhomës së Lartë është posti i dytë më i lartë në Republikën Çeke, pas postit të presidentit. 

Kubera më parë ka shërbyer si kryetar i qytetit verior, Teplice, dhe ka qenë i njohur për deklaratat e çiltra dhe qasjen e logjikshme ndaj politikës në përgjithësi.

Javëve të fundit, Kubera ishte në qendër të vëmendjes për shkak të planit për ta vizituar Tajvanin muajin e ardhshëm, pavarësisht kundërshtimit nga presidenti çek, Milos Zeman, i cili është përkrahës i Kinës.

Pozitën e kryetarit do ta ushtrojë përkohësisht nënkryetari Jiri Ruzicka, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)