Thaçi e Vuçiq në Davos, a do të bëjnë amerikanët përpjekje tjera pas Berlinit

  • 20 January 2020 - 15:21
Thaçi e Vuçiq në Davos, a do të bëjnë amerikanët përpjekje tjera pas Berlinit

Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e fluturimeve komerciale, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka udhëtuar drejt Zvicrës, për të marrë pjesë në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit, ku do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Zyra e Presidentit ka njoftuar se Thaçi do të jetë pjesëmarrës në panelin “Dialogu Diplomatik për Ballkanin Perëndimor” dhe se gjatë ditës do të ketë takime me liderë të ndryshëm shtetesh që po marrin pjesë në këtë forum.

“Presidenti Thaçi do të jetë i pranishëm edhe në adresimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, drejtuar liderëve të të gjitha vendeve pjesëmarrëse. Po ashtu, presidenti Thaçi do të marrë pjesë edhe në darken zyrtare të shtruar nga organizatorët e Forumit Botëror Ekonomik për udhëheqësit e shteteve në Davos”, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)