Grenell i zhgënjyer me Kurtin e Mustafën, i grah agjendës për marrëveshje me Serbinë

  • 20 January 2020 - 16:34
Grenell i zhgënjyer me Kurtin e Mustafën, i grah agjendës për marrëveshje me Serbinë

Zvarritja e krijimit të qeverisë së re nuk po i bën fort përshtypje të deleguarit të presidentit amerikan, Donald Trump në dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell. Dialogu që ka mbetur pezull më shumë se një vit shkaku i taksës, sot eci drejt zhbllokimit. Pasi që vizita në Kosovë, e thirrjet e shumta për marrëveshjen nuk bënë punë për Albin Kurtin e Isa Mustafën, Grenell ka zgjedhur që agjendën e tij ta çojë përpara duke bashkëpunuar me të parin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Më shumë se një vit ka kaluar prej kur Prishtina dhe Beogradi nuk janë ulur në tavolinë të bisedimeve, në fazën e fundit për arritjen e marrëveshjes në mes të dy shteteve.

Taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018-të, ka bërë që gjasat për marrëveshjen eventuale me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian të mos çojnë në progres.

Për të ndihmuar në arritjen e marrëveshjes së paqes u përfshi edhe Shtëpia e Bardhë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, zgjodhi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell si ndërmjetësues në dialogun në mes të dy vendeve.

Krahas Bashkimit Evropian, për paqe në Ballkanin Perëndimor u angazhua tash e disa muaj Grenell megjithatë, Kosova dhe Serbia ende nuk janë ulur në tavolinë të diskutimeve, për shkak të pakënaqësive për taksën. Beogradi vazhdon të insistojë në heqje të kësaj mase. Në anën tjetër, qeveria në detyrë në krye me Ramush Haradinaj e ka bërë të qartë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Derisa nuk dihen veprimet që do t’i marrin karshi taksës qeveria në ardhje, partitë që janë duke tentuar që të merren vesh për koalicion, LV e LDK-ja ka muaj që nuk po arrijnë që të dakordohen  mes vete.

Pak ditë pas gjashtë tetorit, për të ju përcjellë nevojën sa më të shpejtë për formim të dialogut, ka qëndruar në Prishtinë vetë ambasadori Grenell. Pas takimit me të gjithë liderët në vend, përveç marrëveshjes me Serbinë, ai ju ka kërkuar që të krijojnë sa më shpejtë institucionet e reja.

Vizita e Grenell menjëherë pas zgjedhjeve të reja nuk ishte e vetmja në vend ku u bë thirrje për nguti në krijim të qeverisë së re. Pavarësisht thirrjeve të shumta një gjë e tillë nuk ju bëri presion dy partive që po bëjnë negociata.

Për derisa Kosova po funksionon që gjysmë viti me qeveri në detyrë, Grenell punën për zhbllokimin e dialogut po e vazhdon me presidentin Hashim Thaçi.

Media  ka raportuar se me datë 30 janar në Berlin është mbajtur jashtë syrit të mediave një takimi në mes të Grenell dhe Thaçit.

Ambasadori i ka përsëritur presidentit të Kosovës thirrjet për zhbllokim sa më të shpejtë të fazës së fundit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe krijimin e qeverisë së re.

Grenell e kishte planifikuar edhe një vizitë tjetër në Kosovë pas takimit me Thaçin, mirëpo, e kishte anuluar atë.

Ambasadori amerikan në Berlin nuk vizitoi Kosovën pasi që siç thanë nga zyra e tij, palët nuk kishin qenë të gatshme.

 “Në përgjigje të pyetjes tuaj, unë mund t’iu them se ne e kemi anuluar udhëtimin e fundit sepse jo të gjitha palët ishin të gatshme, fatkeqësisht”, ka thënë për media, zëdhënësi i Përfaqësuesit Special, Dick Custin.

Pasi që procesi drejt formimit të qeverisë së re nuk dihet se kur do të marrë epilog, ai i zhbllokimit të dialogut Kosovë – Serbi sot i ka dhënë shkëndijat e para.

Grenell sot i dha rezultatet e para në bisedime duke bindur Kosovën dhe Serbinë për hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beogradë, që nuk kishte qenë funksionale që prej vitit 1999.

Lajmi u bë i ditur sot në Berlin, ku po qëndrojnë zyrtarë të lartë të administratës amerikane në Konferencën për Libinë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien.

Zyratët në Kosovë e kanë parë si arritje të madhe këtë lajm, ndërsa, në Serbi u bë e ditur se kjo mund të jetësohet vetëm atëherë kur qeveria kosovare të heq dorë nga taksa 100 për qind.

(Kosova Sot Online)