“Njollë e zezë për shtetin”, amerikanët i japin ‘goditje’ të rëndë Kosovës

  • 20 January 2020 - 17:16
“Njollë e zezë për shtetin”, amerikanët i japin ‘goditje’ të rëndë Kosovës

“Në kreun e institucioneve shtetërore e politike të vendit tonë është një numër i konsideruar i funksionareve politik e publik të stër pasuruar në forma nebuloze, jo transparente e dubioze. Përderisa të tillëve kurrsesi nuk ju përshtatet luftimi i korrupsionit së andejmi as që mund të pritet ndonjë aktivitetet antikorruptive konkret, efikas e eficientë", thotë profesor Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e fushës së të drejtës, po e shohin me shqetësim të madh që edhe pse kanë kaluar gati 13 vite që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Kosova ende etiketohet si vend i korrupsionit dhe krimit të organizuar nga i gjithë faktori ndërkombëtar.

Kjo njollë e zezë që po ia nxin imazhin shtetit të Kosovës u apostrofua edhe konferencën vjetore të prokurorëve të Kosovës, në të cilën të gjithë përfaqësuesit e vendeve të QUNTIT-it e porositën Kosovën që të vazhdoi luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Madje përfaqësuesi i SHBA-ve në këtë konferencë, Zëvendës shefi i misionit të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe, e ka deklaruar hapur se mbështetje amerikane nuk do të mungojë në këtë betejë, por vetëm nëse ka vullnet edhe nga ana e institucioneve të shtetit të Kosovës.

“Në të kaluarën kam dëgjuar duke bërë thirrje për të marrë me seriozitet luftën e korrupsionit. Nga koha e 2017 vetëm disa raste janë ngritur me sukses ndërsa në 2019 nuk është ngritur asnjë rast. SHBA-ja është e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit dhe ta ndihmojmë të luftojë korrupsionin e krimin e organizuar por ne mund të ju ndihmojmë nëse dëshira është më e madhe se e jona”, ka thënë Giacobbe.

E profesori i njohur i së drejtës, Riza Smaka e sheh deklarimin amerikan si një shuplakë e rëndë ndërkombëtare, që flet se drejtësia e kapur nga politika dhe krimi i organizuar, dhe Kosova akoma është larg ndërtimit të shtetit të së drejtës.

Image
Riza Smaka

“Korrupsioni në radhë të parë pos formave të tjera të dukurive tejet negative të vendin tonë, është në veprim të pa ndaluar në një numër të konsideruar të segmenteve të shtetit tonë! Në radhë të parë administrata publike, prokuroritë dhe gjykatat nuk ishin as për së afërmit nuk janë në nivelin e projektuar me akte ligjore, e të mos flasim për atë të dëshiruar. Ndër shkaqet e shumta e të ndryshme të gjendjes së tillë, në radhën e parë është mungesa e vullnetit politik për të luftuar me seriozitet korrupsionin! Në kreun e institucioneve shtetërore e politike të vendit tonë është një numër i konsideruar i funksionareve politik e publik të stër pasuruar në forma nebuloze, jo transparente e dubioze. Përderisa të tillëve kurrsesi nuk ju përshtatet luftimi i korrupsionit së andejmi as që mund të pritet ndonjë aktivitetet antikorruptive konkret, efikas e eficientë", thotë profesor Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Vërejtja dhe alarmi ndërkombëtar për korrupsionin në Kosovë, sipas Smakës është plotësisht i arsyeshëm, pasi që baza e korrupsionit është ndërtuar përmes punësimeve politike, klienteliste e familjare.

”Punësimet së pakut deri sot kryesisht janë bërë në saje të nepotizmit, familjarizimit, afiniteteve partiake, në një anë e në kundërshtim me postulatin e meritokracisë në anën tjetër”, potencon Smaka për “Kosova Sot Online”. 

Sipas tij, grusht i madh nga krimi e korrupsioni i është dhënë segmentit më të rëndësishëm për krijimin e kuadrove të reja profesionale, arsimit.

“Arsimi është degraduar në masë të madhe edhe nga shkaku i inflacionit të njësive akademike publike e private në të cilat në vend të studimeve aplikohen mësimet edhe ato të formalizuara pa ndërlidhje intensive e kondenzive teorike e praktike. Gjatë këtyre dy dekadave janë prodhuar shumë të diplomuar në nivele të larta e superiore në procese aramara, shkel e shko, madje edhe korruptive. Fakti se jo pak pedagog universitar ab initio e aktualisht "ligjërojnë" deri në dhjetë njësi akademike tregon qartë se në asnjërën njësi akademike të tillë nuk mundë të zhvillohet as për së afërmi jo studimi, por as mësimi i nivelit të mesëm të dikurshëm”, thekson Smaka për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Smaka ka vërejtje serioze edhe në procesin e deritanishëm të ligj bërjes së pakos ligjore të të gjitha fushave, që është ndërtuar gjatë këtyre 20 viteve me plotë defekte.

“Shumë akte ligjore janë me të meta onomoteknike e me defekte të instrumenteve aplikative. Ka fusha shoqërore, ekonomike, arsimore etj të cilat nuk janë të rregulluara juridikisht sikundër do të kërkohej ose janë të rregulluara pjesërisht madje me zbrazëtira juridike (vakume juridike).Rastet juridike sikundër në procedurat administrative ashtu edhe në ato gjyqësore zgjidhen tejet ngadalë e me zhagitje të pajustifikuara! Nuk janë të rregulluara raportet e ushtrimeve të profesioneve në institucione publike e private në arsim as në shëndetësi! Së andejmi edhe abuzime përcjellëse. Për të nisë një aktivitet politik e shtetërorë në drejtim të tejkalimeve të defekteve të tilla e të tjerave edhe më të shumta fillimisht do të duhej të riorganizohej racionalist administrata publike e sistemi i drejtësisë, rendi juridik të përmirësohej konform me postulatet e onomoteknikës dhe të sigurohej aplikimi i ligjit në fuqi, përgjegjësia morale, përgjegjësia politike e juridike. Këto e shumë masa të tjera janë të arritshme, imediate e të justifikuara po që se pushtetet do t'i marrin njerëzit meritor, moralisht të pastër e të përgjegjshëm dhe plotësisht meritor”, përfundon profesori i së drejtës, Riza Smaka për Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)