Katër të vdekur nga moti i lig në Spanjë

  • 21 January 2020 - 14:53
Katër të vdekur nga moti i lig në Spanjë

Së paku katër persona kanë vdekur për shkak të stuhive me erëra të fuqishme, reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta që e kanë përfshirë Spanjën.

Bregdeti i Mesdheut në Spanjë u përfshi nga stuhia “Gloria”, ku më shumë se 30 provinca u futën në hartën e paralajmërimit nga agjencia e meteorologjisë. 

Në Valencia, valët e detit në breg arritën lartësinë e 8.44 metrave, njoftuan autoritetet e portit. Disa dëshmitarë thanë se valë të larta pati edhe në bregdetin e Barcelonës.

Një burrë 63-vjeçar vdiq pasi u godit nga tjegullat që ranë në tokë për shkak të erës së fuqishme në provincën qendrore të Avila-s. Lajmin e bëri të ditur kryetari i qytezës Pedro Bernardo.

Sipas një zyrtari lokal, një grua e pastrehë vdiq nga moti i ftohtë në Gandia, afër Valencia-s.

Qeveria rajonale e Katalonjës mori vendim për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve në mjedis të hapur në rajonet e Girona-s, Barcelonës dhe pjesës qendrore të Katalonjës.

Stuhia e bëri të detyrueshme mbylljen e aeroportit të Alicante-s, me ç’rast u anuluan rreth 200 fluturime.

Agjencia Kombëtare e Motit raportoi se në provincën e Valencia-s janë regjistruar erëra me shpejtësi deri në 115 kilometra në orë, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)