Koalicion apo Qeveri të pakicës? Edhe 14 ditë në dispozicion

  • 21 January 2020 - 16:14
Koalicion apo Qeveri të pakicës? Edhe 14 ditë në dispozicion

Qeveria e pakicës me gjasë mund të jetë zgjidhja e vetme që do të mund të çojë vendin në krijim të institucioneve të reja. Në ditën kur u votua Glauk Konjufca, paraprakisht Isa Mustafa kishte thënë se LDK do t’ia japë votat VV’së nëse nuk arrijnë marrëveshje. Ditë më parë për Qeveri të pakicës foli edhe Xhelal Sveçla, por tani krerët e VV’së po i bëjnë thirrje LDK’së për marrëveshje. Mbrëmë ndërkaq deputeti i Lidhjes Demokratike rikonfirmoi se do ta mbështesin VV’në për të krijuar qeveri të pakicës.

Takimi i sotëm që Isa Mustafa po mban me anëtarët e kryesisë në partinë në të cilën ai udhëheq, pak ka shpresë se mund të sjellë diçka të re për koalicionin me Vetëvendosjen.

Dy partitë, ende nuk kanë arritur që të merren vesh për bashkëpunim, e as njëra e as tjera nuk kanë hequr dorë nga kushtet e vëna në tavolinë të diskutimit.

Për herë të parë në historinë e krijimit të institucioneve të reja në vend është duke u folur mundësia e krijimit të një qeverie të pakicës.

Kjo e nënkupton që qeveria e re, që tashmë i ka të propozuar gjysmën e ministrave dhe zëvendëskryeministrin e dytë, formohet vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje, që ka 29 deputetë, ndërkaq, asaj ju bashkëngjiten edhe deputetët e pakicave që tashmë kanë njoftuar se e përkrahin Albin Kurtin.

Për qeveri të pakicës ka folur ditë më parë anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla. Ai paralajmëroi se mund të shkohet me qeveri të pakicës në rast se nuk arrijnë marrëveshje me Lidhjen Demokratikë të Kosovës.

 “Ne po insistojmë në një marrëveshje të drejtë me LDK-në si partner në qeverisje dhe do të tentojmë që deri në fund ta arrijmë. Por, edhe kjo është një opsion, por ne jemi të vendosur që të punojmë drejt një marrëveshje me LDK-në”, ka deklaruar Sveçla.

Se pak ka gjasa që të ndodhë marrëveshja me Lidhjen Demokratike të Kosovës brenda dy javësh, la të nënkuptohet dje edhe kryetari i LV-së, Albin Kurti.

Në video mesazhin e tretë që e ka publikuar që nga fillimi i negociatave, Kurti ka deklaruar se nuk e kanë pranuar propozimin e fundit të LDK-së, derisa , shton se janë të gatshëm për të mbajtur takim që të gjendet një alternativë e pranueshme nga të dyja palët.

Teksa ka thënë se beson që mund të ketë një takim mes tij dhe Isa Mustafës, Albin Kurti ka treguar se do të takon edhe përfaqësuesit e partive minoritare, ani pse kur do të ndodhë një gjë e tillë ende nuk është bërë e ditur.

“Unë besoj se ne mund të kthehemi e duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Në ditët në vijim do të takoj edhe përfaqësuesit e pakicave”, ka deklaruar Kurti.

Lideri i LV-së ka takuar përfaqësuesit e pakicave në Prizren një ditë pas propozimit të fundit që dorëzuan, e ku thuhet se numri i ministrive do të rritet në 14-të. Tri prej tyre shkojnë për pakicat.

Se mund të pranojnë një qeveri të pakicës kanë konfirmuar së fundmi edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së, ka deklaruar mbrëmë se do të votonin një qeveri të pakicës, në rast se Vetëvendosje vendosë që të vazhdojë e vetme.

“Nëse Lëvizja Vetëvendosje dëshiron që të vendosë që të vazhdojë tutje e vetme, duke plotësuar kriteret kushtetuese, do të votonim një qeveri të pakicës”, ka deklaruar ai.

Në rast se ndodh një gjë e tillë, e brenda 15 ditëve LV e LDK nuk gjejnë rrugë të përbashkët drejtë marrëveshjes, atëherë Kosova për herë të parë do të bëhet me qeveri të pakicës. Kjo do të thotë se e njejta do të ketë tejet të vështirë funksionimin pa pasur votat e nevojshme që i duhen për të kaluar ligjet në Kuvend.

Një gjë e tillë po shihet si opsion pasi që Kosova ka nevojë urgjente që të kalojë  ligjin për buxhetin, në mënyrë që vendi të mos shkojë në kaos financiar.

Tashmë ka filluar afati prej 15 ditësh kur duhet të thirret seanca në të cilën votohet qeveria e re. Një takim Kurti – Mustafa nuk dihet nëse do të mbahet.


(Kosova Sot Online)