Ja kush e thotë: Këto janë strukturat e prapaskenës në LDK, që po e pengojnë koalicionin me VV-në

  • 21 January 2020 - 19:40
Ja kush e thotë: Këto janë strukturat e prapaskenës në LDK, që po e pengojnë koalicionin me VV-në

“Rezistenca e LDK-së me oligarkinë e saj të vjetër brenda partisë dhe partitë tjera do jetë deri në fund dhe ka një program që të denigrohet komplet figura e Kurtit dhe vizioni i tij, janë të njëjtit persona që vazhdimisht dikur kanë denigruar edhe Ibrahim Rugovën që sot e përdorin për vota. Nëse nuk ndodh koalicioni atëherë qytetarët nuk do i kthejnë sytë nga klika e vjetër por pasojat do jenë të rënda për vendin deri tek “ngulja e disa kokave në hunj”, sepse një gjendje e tillë tmerri ekonomik, politik dhe social nuk mund të durohet gjatë në epokën e globalizmit në Evropë”, thotë Kuçi për “Kosova Sot Online”.

 

Image
Gurakuç Kuçi

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gurakuç Kuçi, ngërçin politik i krijuar pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar, nga pamundësia e krijimit të koalicionit LVV-LDK, nuk e sheh aq shumë në betejën e këtyre dy partive politike për pushtet, sa e sheh të konflikti i madh në mes të gjeneratave për ndryshime pozitive, e që në këtë rast, ky fenomen sipas Kuçit është akoma i pranishëm tek strukturat drejtuese në LDK. 

Pra sipas tij, mungesa e reformimit të partive politike dhe mbyllja e derës nga strukturat e vjetra për kuadro të reja, bëjnë që edhe në situata të tilla pas zgjedhore të kemi kriza, dhe ego të sundimit të klasës politike të vjetër mbi strukturat e reja që kërkojnë ndryshime. 

“Tendenca për ndryshimin ose gjysmë-ndryshimin e gjeneratave politike e sjell vendin para një bllokade dhe rezistence të gjeneratës së vjetër, një gjë e tillë Kosovës për tri dekada është duke i ndodhur tri herë. Herën e parë me shkatërrimin e Jugosllavisë në fillim viteve ’90 ku një gjeneratë bënte rezistencë për ruajtjen e pushtetit e Jugosllavisë dhe Serbisë pasi e humbnin pushtetin e tyre. Hera e dytë është pas luftës në Kosovë në fund të ’99 dhe fillim të vitit 2000, ku bëhej rezistencë nga LDK-ja dhe një grup i gjerë ish-komunistësh që të mos vinte në pushtet i ashtuquajturi krahu i luftës së vitit ’99. Tani e kemi herën e tretë pas 2019 kur prapë ardhja e një gjenerate të re politikanësh me Lëvizjen Vetëvendosje (pjesërisht) dhe me një pakicë të LDK-së po hasë në rezistencë. Rezistenca vjen si pasojë që çdo ndryshim do të thotë larje hesapesh e të rinjve me të kaluarit”, thotë analisti politik, Gurakuç Kuçi për “Kosova Sot Online” .

“Në rastin e parë (fillim ’90) gjenerata komuniste pro-serbe ose iu bashku Serbisë ose zgjodhi rrugën e ikjes. Gjenerata e dytë një pjesë e tyre u përball me vrasje, një pjesë me ikje dhe një pjesë u shfytyrua duke iu bashkangjitur krahut të luftës (disa prej tyre madje kishin qenë edhe pro-serb e jugosllav), dhe me rastin e tretë çdo ndryshim pushteti me LVV-në dhe krahun e Vjosa Osmanit në LDK do të thotë që radha po i vjen politikanëve sundues që dy dekada që jo vetëm të humbin pushtetin por edhe të denigrohen shoqërisht dhe të vihen para drejtësisë. Rastin e tretë të cilin po e përjetojmë tani me apo pa shpresën e vërtetë që LVV-ja mund të sjellë ndryshime, esenca është që ndryshohet psikologjia e votës dhe krijohen taborre të reja politike e që në këtë fshirje nga skena politike bënë pjesë edhe shumica e LDK-së”, shton Kuçi.

Sipas tij, rezistenca ndaj koalicionit që bënë Isa Mustafa me klikën e vjetër oligarkike, është një rezistencë e cila përkrahet në prapaskenë edhe nga partitë tjera 

“Andaj, veprimi i fundit i LVV-së duke e dërguar emrin e mandatarit tek Presidenti për Kryeministër më shumë se lëvizje politike ishte një shterim i mundësive dhe kohës sepse nuk mund të shtyhet dërgimi i emrit në pafundësi dhe përveç tjerash Thaçi deklaroi se do kërkoj mendim nga Gjykata Kushtetuese për mos-dërgimin e propozimit për kryeministër nga partia fituese”, thekson Kuçi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, përkundër që nuk ka një përkufizim ligjor që kur duhet të dërgohet propozimi për kandidatin për kryeministër, dhe se dërgimi i menjëhershëm i emrit është një veprim politik dhe etik, më shumë se sa një detyrim force.

 “Rezistenca e LDK-së me oligarkinë e saj të vjetër brenda partisë dhe partitë tjera do jetë deri në fund dhe ka një program që të denigrohet komplet figura e Kurtit dhe vizioni i tij, janë të njëjtit persona që vazhdimisht dikur kanë denigruar edhe Ibrahim Rugovën që sot e përdorin për vota. Nëse nuk ndodh koalicioni atëherë qytetarët nuk do i kthejnë sytë nga klika e vjetër por pasojat do jenë të rënda për vendin deri tek “ngulja e disa kokave në hunj”, sepse një gjendje e tillë tmerri ekonomik, politik dhe social nuk mund të durohet gjatë në epokën e globalizmit në Evropë. Shakatë me vendime gjyqësore si rasti ‘Pronto’. ‘Toka’, "Veteranët e rrejshëm", etj., nuk do të gëlltiten edhe gjatë”, përfundon analisti politik, Gurakuç Kuçi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova sot Online)