Paralajmëron profesori i njohur: Veprimet e Gjykatës Speciale do të jenë të rënda...

  • 22 January 2020 - 07:37
Paralajmëron profesori i njohur:  Veprimet e Gjykatës Speciale do të jenë të rënda...

“Kuptohet se veprimet e Gjykatës Speciale do të jenë dhe janë të rënda. Megjithatë, përveç ndonjë eksesi, vendi nuk duhet të trazohet. Nëse e shkatërrojmë vendin tonë, shtetin, dëmin e mbajmë ne”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi e konsideron të pa drejtë Gjykatën Speciale për krimet e supozuara të luftës në Kosovë, dhe si një sfidë serioze për tu ballafaquar me të.

Sido qoftë, profesor Kelmendi thekson se derisa një institucion i tillë i pa drejtë i drejtësisë ndërkombëtare është votuar nga deputet të Kuvendit të Kosovës, është me rëndësi për Kosovën që të kalohet edhe ky proces, duke ruajtur interesin e shtetit dhe qetësinë qytetare e politike.

Image
Muhamet Kelmendi

“Fillimisht duhet thënë se Gjykata Speciale është një vepër e padrejtë ndaj UÇK-së. Të prek shumë fakti se kjo u krijua me vendim të Kuvendit të Kosovës, e fushë veprimtaria është e karakterit një nacional. Tamam sikurse shqiptarët të ishin ata që kanë pushtuar kombe e shtete dhe kanë vrarë e masakruar njerëz. Ndërsa është e kundërta që ka ndodhur. Kosova ishte e pushtuar. Shqiptarët u vranë dhe u masakruan dhe askush nga Serbia nuk po përgjigjet. Kjo është shumë e pa drejtë”, thotë profesor Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit sipas kësaj dinamike të intervistimit, është çështje ditësh se kur do të ngrihen aktakuzat e para.

“Që janë të pa drejta, por qetësia dhe funksioni i shtetit duhet të ruhet, të vazhdoj dhe të vërtetohet lufta e drejtë dhe e pastër e UÇK-së. Gjykata Speciale në këtë anë pritet të ngritë paditë e para në muajt në vijim. Kompetencat e saja shkojnë deri më 31 dhjetor 2000. Ajo nuk është formuar për të zbardhur veprat penale të pas luftës. Jo. Është formuar për të kënaqur orekset nacional-raciste të shtetit serb dhe të miqve të tij ndaj shqiptarëve. Është thjeshtë gjykatë e karakterit një nacional”, shton Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Ai po ashtu thotë se të gjitha veprat tjera, jashtë kalendarit që përfshin kjo gjykatë, iu takojnë gjykatave vendore, prandaj nuk është e pritshme të zbardhen vrasjet e luftës dhe të pas luftës në Kosovë.

“Kuptohet se veprimet e Gjykatës Speciale do të jenë dhe janë të rënda. Megjithatë, përveç ndonjë eksesi, vendi nuk duhet të trazohet. Nëse e shkatërrojmë vendin tonë, shtetin, dëmin e mbajmë ne. Kosova është vendi i ynë dhe kurrsesi nuk duhet të dëmtohet. Këtu nuk ka fare rëndësi se kush kapet e dënohet. Shteti kërkohet të ruhet dhe të mbrohet. Kjo është detyrë e të gjithë neve qytetarëve në Kosovë”, përfundon profesor Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)