“Krimi i dyfishtë në drejtësinë kosovare”, vjen alarmi i rëndë për Kosovën

  • 22 January 2020 - 07:51
“Krimi i dyfishtë në drejtësinë kosovare”, vjen alarmi i rëndë për Kosovën

“Abuzimi dhe kontrabandimi i lëndëve kriminale janë bërë objekt i pasurimit të politikanëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve. Si produkt i kësaj situate, qytetarët e kanë humbur në tërësi besimin tek drejtësia vendore. Kjo situatë paradoksale në sistemin e drejtësisë po i shtynë qytetarët t'i kthehen ligjeve të “Kanunit” dhe zakoneve të vjetra për zgjidhjen e konteksteve në mes tyre”, thotë Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas njohësve të fushës së drejtësisë, por edhe sipas vlerësimit të organizatave ndërkombëtare, Gjyqësori i Republikës së Kosovës po vazhdon të mbetet model i keq për plot 20 vite, i kapur dhe i dirigjuar nga pushtetarët e inkriminuar dhe nëntoka kriminale, pasi për fatin e lëndëve gjyqësore në procedurë, vendosin ata që kanë interes për t`u refuzuar apo për t`u miratuar, duke shpërblyer pastaj për këtë veprim gjyqtarët me gradim nga Gjykata Themelore në atë të Apelit, apo nga Gjykata e Apelit në atë Supreme.

Sipas njohësve të kësaj fushe, në drejtësinë kosovare po ndodh krimi i dyfishtë duke u bërë avancimi në pozita të pa merituara në gjyqësorin e Kosovës, vetëm për të dëgjueshmit e pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale.

Për këtë kapje të thellë të drejtësisë nga mafio-politika, për “Kosova Sot Online” flet analisti politik dhe njohësi i fushës së dreqësisë, Florim Zeqa.

Sipas analistit Zeqa, përmasat e krimit të organizuar në sistemin qeverisës dhe atë të drejtësisë janë alarmante.

Image
Florim Zeqa

“Lidhja e ngushtë dhe bashkërendimi i veprimeve të politikanëve me prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar e ka degraduar si asnjëherë më parë sistemin e drejtësisë dhe vlerat qeverisëse në vendin tonë. Do t'u hyja në hak sikur të përmendja emrat e ndonjërit prej politikanëve, prokurorëve apo gjykatësve, pasi e gjithë skena politike dhe ajo e drejtësisë është bërë përafërsisht e njëjtë në këto 12 vjetët e pas pavarësisë. Në Kosovën e sotme nuk bëhet fjalë për drejtësi, por për kontrabandim dhe inkriminim të thellë edhe të sistemit të drejtësisë në krim të organizuar. Në anën tjetër, politikanët e inkriminuar e përdorin sistemin e drejtësisë si instrument për kontrabandimin e lëndëve dhe mbulim të veprave kriminale për të mbetur në pushtet. Gjyqtarët e korruptuar vazhdojnë të dirigjohen nga pushtetarët e inkriminuar të nivelit të lartë dhe nëntoka kriminale në Kosovë edhe për fatin e lëndëve gjyqësore në procedurë që ata kanë interes për t'u refuzuar apo për t'u miratuar, duke shpërblyer gjyqtarët me gradim nga Gjykata themelore në atë të Apelit, apo nga Gjykata e Apelit në atë Supreme”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, është shqetësuese për qytetarët se si gjyqtarëve të korruptuar të përfshirë në veprat e inkriminuara të politikës, u kumtohet lajmi për avancim në pozita, ende pa u marrë as edhe një vendim zyrtar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Pasi që KGJK-ja është 100% në duart dhe nën kontrollin e plotë të pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale. Abuzimi dhe kontrabandimi i lëndëve kriminale janë bërë objekt i pasurimit të politikanëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve. Si produkt i kësaj situate, qytetarët e kanë humbur në tërësi besimin tek drejtësia vendore. Kjo situatë paradoksale në sistemin e drejtësisë po i shtynë qytetarët t'i kthehen ligjeve të “Kanunit” dhe zakoneve të vjetra për zgjidhjen e konteksteve në mes tyre”, deklaron analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)