Ishin shokë, zbulohet i dyshuari për vrasjen e 28-vjeçarit. Zbardhet dëshmia e familjarëve

  • 22 January 2020 - 11:33
Ishin shokë, zbulohet i dyshuari për vrasjen e 28-vjeçarit. Zbardhet dëshmia e familjarëve

Zbulohen detaje të reja nga vrasja e 28-vjeçarit Vilson Tafçiu (Ndokaj) në zonën e “Astirit” në Tiranë, mbrëmjen e 20 janarit. Mësohet se autori i dyshuar, të cilit policia i është vënë pas është Noel Dishi nga Dibra e banues në Sukth. Dishi ka qenë shok me viktimën dhe kanë qenë bashkë madje edhe në Francë dhe Zvicër.

Policia ka marrë në pyetje familjarët e autorit të dyshuar në Sukth të cilët kanë thënë se Vilsonin e njihnin si shok të djalit dhe se shkonte shpesh në shtëpinë e tyre. 

Balkanweb, duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor bëri me dije se familjarët kanë deklaruar se prej më shumë se 2 javësh mes Vilson Tafçiut dhe Noel Dishit ka ndodhur një zënkë që ka prishur miqësinë por motivin e saj nuk e dine. Prindërit kanë pohuar se me të birin nuk janë takuar që një ditë para se të ndodhte vrasja.

Policia po vijon kontrollet për kapjen e tij dhe po kështu po analizohen qelizat telefonike për të vërtetuar praninë e të dyshuarit në zonën ku ndodhi krimi si edhe lëvizjet e tij.

28-vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer nga jashtë shtetit dhe mbrëmjen e së hënës po konsumonte kafe në një lokal të njohur në zonën e Astirit me dy vajza kur u nxor jashtë dhe u ekzekutua me një plumb në zemër.

(Kosova Sot Online)