Brexit: Projektligji për dalje nga BE’ja kalon pengesën e fundit parlamentare

  • 22 janar 2020 - 22:53
Brexit: Projektligji për dalje nga BE’ja kalon pengesën e fundit parlamentare

Pas më shumë se tre vite debatesh të ashpra, Parlamenti britanik miratoi përfundimisht sot marrëveshjen e Brexit, që hap rrugën për daljen historike të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian në fund të janarit.

Projektligji, i cili rregullon kushtet e ndarjes, i negociuar nga kryeministri konservator Boris Johnson me Brukselin, duhet ende të shpallet nga Mbretëresha Elizabeth II, ndoshta që të enjten, për të patur forcën e ligjit.

Deputetët britanikë hodhën sot poshtë ndryshimet e Lordëve në marrëveshjen e Brexit të kryeministrit Boris Johnson, në fazat përfundimtare të projektligjit, nëntë ditë para daljes së Britaninë së Madhe nga Bashkimi Europian.

Dhoma e Komuneve, ku udhëheqësi konservator ka shumicë të madhe, i kishte dhënë dritën jeshile në fillim të janarit projektligjit për tërheqjen e Britanisë së Madhe nga BE, e planifikuar për në 31 janar, përpara se ta dërgonte atë në Dhomën e Lartë të parlamentit.

Kjo e fundit miratoi pesë ndryshime në projektligj, duke i shkaktuar më shumë pengesa qeverisë, në lidhje me të drejtat e qytetarëve europianë që banojnë në Britaninë e Madhe ose të fëmijëve refugjatë të pashoqëruar.

Këto ndryshime u kundërshtuan nga deputetët, kur projektligji u kthye sot në Dhomën e Komuneve, që do të thotë se projektligji duhet të ekzaminohet edhe një herë nga Lordër.

(Kosova Sot Online)