PDK: Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit të paraqesin dokumente, ndërtimet në Badovc nuk kanë bazë ligjore

  • 23 January 2020 - 12:25
PDK: Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit të paraqesin dokumente, ndërtimet në Badovc nuk kanë bazë ligjore

Dega e Partisë Demokratike në Prishtinë ka bërë të ditur se kanë dorëzuar të gjitha kërkesat për të mbajtur seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal për të diskutuar lidhur me projektin ndërtimor që mendohet të realizohet në Liqenin e Badovcit

Asamblisti nga PDK-ja, Leutrim Retkoceri, në një konferencë për media kërkon nga Komuna e Prishtinës që ta dërgojë sa më parë një datë dhe orën për mbajtjen e seancës së thirrur nga ata.

“Dega e PDK-së në Prishtinë ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit në lidhje me tendencat për aktivitetet afariste në Liqenin e Badovcit. Për të diskutuar mbi këtë çështje përmes asamblesiteve pati nisur mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme në mbrojtje të Liqenit të Badovcit”, ka thënë Retkoceri.

Ai ka shtuar se tentimet për të zhvilluar biznese afariste dhe banesore te Liqeni i Badovcit janë të papranueshme, derisa ka thënë se i bën ftesë kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmtit ta anulojë dhënien e pëlqimit për kushtet ndërtimore.

“Thirrja e seancës ka për qëllim mbrojtjen e  Liqenit që është jetik për qytetarët e Prishtinës. Çdo tentim për të zhvilluar aktivitete afariste dhe banesore është i papranueshëm nuk duhet të lejohet. Ftojmë Shpend Ahmetin, Drejtoritë e Urbanistikës dhe të Inspeksionit të anulojnë dhënien e pëlqimit për kushtet ndërtimore për të lëshuar në afërsi të Badovcit. Ne kërkojmë të kthehet diskutimi në Kuvend të vendoset në baza të ligjit në fuqi dhe në interes të qytetarëve”, deklaroi Retkoceri.

Kjo nismë është përkrahur edhe nga deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila deklaroi se nuk ka bazë ligjore për ndërtim të objekteve afër Liqenit të Badovcit.

Ajo tha se nuk duhet të mbytet një resurs kryesor publik në Prishtinë si ky në fjalë.

“Në vitin 2013, Liqeni i Badovcit  është shpallur resurs kombëtar ujor, pra  mbrohet me ligjet në fuqi dhe në hierarkinë e vendimmarrjes për të kjo takon Ministrisë së Mjedisit  dhe Planifikimi Hapësinor. Dokumentet për ligjin për planifikim hapësinorë, në këtë rast plani zhvillimor që është hartuar më 2012 dhe është miratuar në vitin 2013 e adreson liqenin e Badovcit dhe komplet Gërminë në një zonë të përbashkët si park regjional me status të ri ligjor”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka shtuar se zona te Liqeni i Badovcit nuk është e paraparë për ndërtim, pavarëishst Ligjit të ri për planifikim hapësinor.

“Përmes këtij plani përcaktohet edhe kufiri urban dhe zona në fjalë që janë dhënë kushtet e ndërtimit dhe është zonë jashtë kufirit urban, nuk është e paraparë për ndërtim, pavarësisht ligjit të ri për planifikim hapësinor, zona në fjalë nuk është përfshirë. Pyetja shkon për komunën e Prishtinës se në çfarë baze ligjore janë është bazuar për dhënien për pëlqim hapësinorë”, ka thënë Hoxha.

Hoxha iu ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që t’i tregojnë dokumentet të cilat i posedojnë, pasi sipas saj ka diskrepancë me prononcimet që i kanë dhënë deri më tani.

“I bëj thirrje komunës dhe MMPH-së që të dalin me dokumentet që i posedojnë pasi ka diskrepancë me prononcimet që i thonë. Kushtet ndërtimore nuk i lëshon ministria dhe nuk ka bazë as ligjore as komuna me dhënë leje për kushte ndërtimore. Prandaj, ne thërrasim këtë seancë të diskutohet, nuk jemi kundër askujt, ne kërkojmë të ulen të gjitha palët në një tavolinë dhe të diskutojnë” ka theksuar Hoxha.

(Kosova Sot Online)