Zbulohet qëllimi i Trumpit: Ky është mesazhi i Richard Grenellit për Kosovën

  • 23 January 2020 - 16:04
Zbulohet qëllimi i Trumpit: Ky është mesazhi i Richard Grenellit për Kosovën

“Ardhja e Përfaqësuesit Special Presidencial të presidentit të SHBA-ve në Kosovë, Richard Grenell është një tregues i presionit ndërkombëtar, në veçanti atij amerikan karshi spektrit politik të Kosovës. Vizita e Richard Grenell në Kosovë, përkatësisht presioni i tij është i përqendruar në dy drejtime; për formimin pa vonesë të qeverisë së re, por dhe për hapjen pa kushte të dialogut të përshpejtuar me Serbinë dhe arritjes së marrëveshjes për normalizim dhe njohje mes Kosovës dhe Serbisë, para zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti në Serbi dhe atyre presidenciale në SHBA”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë po e shohin si fillim të një faze të re të presionit ndërkombëtar karshi spektrit politik të Kosovës, ardhjen e Përfaqësuesit Special të presidentit të SHBA-ve në Kosovë, Richard Grenell, jo vetëm për formimin pa vonesë të qeverisë së re, por edhe për hapjen pa kushte të dialogut të përshpejtuar me Serbinë, dhe arritjes së marrëveshjes për normalizim dhe njohje mes Kosovës dhe Serbisë, para zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti në Serbi dhe atyre presidenciale në SHBA.

Kështu thotë për “Kosova Sot Online” analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Florim Zeqa.

Sipas Zeqës, edhe vonesa e deritashme e formimit të qeverisë së re, ka mundur të jetë një nga arsyet kryesore që është ndërlidhur me kërkesën për vazhdim të dialogut me Serbinë, i mbetur si patate e “nxehtë“ në dorën e koalicionit LVV-LDK për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.

Image
Florim Zeqa

“Ardhja e Përfaqësuesit Special Presidencial të presidentit të SHBA-ve në Kosovë, Richard Grenell është një tregues i presionit ndërkombëtar, në veçanti atij amerikan karshi spektrit politik të Kosovës. Vizita e Richard Grenell në Kosovë, përkatësisht presioni i tij është i përqendruar në dy drejtime; për formimin pa vonesë të qeverisë së re, por dhe për hapjen pa kushte të dialogut të përshpejtuar me Serbinë dhe arritjes së marrëveshjes për normalizim dhe njohje mes Kosovës dhe Serbisë, para zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti në Serbi dhe atyre presidenciale në SHBA”, thotë analisti politik Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, edhe marrëveshja për vijën ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës, është paralajmërim i qartë për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, përmbajtja e së cilës mundë të ketë imponim të kompromisit të padëshirueshëm, prandaj ka hezitim nga dy partitë politike fituese të zgjedhjeve që të vetme të futen në koalicion dhe ta bëjnë qeverinë e re që të përballen me këtë proces.

“Mbetja në dorë e "patates së nxehtë" të bisedimeve dhe arritjes së marrëveshjes me Serbinë, është arsyeja kryesore e vonesave dhe ngurrimit në formimin e qeverisë së re të Kosovës nga koalicioni LVV-LDK, që për mbulesë po i nxjerrin mosmarrëveshjet në ndarjen e pozitave në qeverisje. Bllokimi dhe "ç’bllokim" i dialogut për marrëveshje në mes LVV-së LDK-së përmes ofertave dhe video mesazheve, e dëshmon jo seriozitetin dhe mungesën e vullnetit politik për arritjen e marrëveshjes e cila pashmangshëm nesër do t'i dërgojë në përballjen historike me Serbinë, nga e cila Kosova rrezikon të dali humbëse e madhe siç ndodhi me marrëveshjen për vijën ajrore të cilën shteti ynë nuk e kontrollon fare nga okupimi klasik i viteve të '90-ta, përkatësisht nga përfundimi i luftës e deri në ditët e sotme”, shton analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

Zeqa është i sigurt se edhe marrëveshja finale me Serbinë, përveç se do të jetë marrëveshje e kompromisit, nuk do të jetë marrëveshje në kuptimin e plotë të njohjes mes dy vendeve si shtete të pavarura.

“Siç nuk është “Marrëveshja për vijën ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës" marrëveshje mes dy shteteve, nuk do të jetë as marrëveshja përfundimtare pa njohjen e Kosovës nga Serbia. Siç u nënshkrua kjo marrëveshje për vijën ajrore të Kosovës pa dijen e organeve të shtetit, përkatësisht Kuvendit të Kosovës, rrezikojmë të nënshkruhet edhe marrëveshja finale me Serbinë, ku Parlamenti i Kosovës do të gjendet para aktit të kryer siç u gjend me Demarkacionin me Malin e Zi. Deputetët e legjislaturës së shtatë të Kuvendit, duhet të tregohen të kujdesshëm dhe më sy qelë para votimit të marrëveshjes me Serbinë, nga e cila fare lehtë Kosovës mund t'i lëkundët sovraniteti politik dhe integriteti territorial, për shkak se marrëveshja e ardhshme me Serbinë nuk është marrëveshje teknike as afariste, por ka karakter politikë dhe juridik që prek drejtpërdrejt në themelet e shtetit të Kosovës”, thekson Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas tij, bazuar në këto rreziqe para të cilave ndodhet shteti i Kosovës, konsiston edhe (mos) marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së, e cila është duke e shpërfaq frikën e të dyja palëve, e jo mungesën e dëshirës për pushtet.

“Sikurse njëra (LVV), ashtu edhe tjetra (LDK), nuk është që e duan më pak sesa subjektet tjera pushtetin në Republikën e Kosovës, por që i frikohen "patates së nxehtë" të dialogut me Serbinë, ndryshe që moti do të ishte arritur marrëveshja historike për ndryshimin e kursit politik në vend”, përfundon analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online).