“Koalicioni në udhëkryq”, ja çfarë do të ndodhë pas takimit me emisarin e Trump

  • 24 January 2020 - 07:50
“Koalicioni në udhëkryq”, ja çfarë do të ndodhë pas takimit me emisarin e Trump

“Nëse nuk ndihmon as ardhja e ambasadorit Grenell në Kosovë, për formimin e koalicionit ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, atëherë mundë të ketë një qeveri nga LDK, AAK dhe Nisma me minoritete, megjithëse ekziston droja e arsyeshme se një gjë e tillë, do ta tensiononte situatën politike dhe Vetëvendosje do të nxiste protesta të dhunshme në vend”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Duke parë ngurtësinë në qëndrimet e tyre për koalicionin qeverisës dhe kushtëzimet e pandryshuara, qoftë nga Vetëvendosje apo edhe nga LDK, analistët politikë e shohin pamundësinë e krijimit të qeverisë nga këto dy subjekte politike, dhe si alternativë tjetër për ta shpëtuar vendin nga zgjedhjet e reja, do të mundë të vjen në shprehje edhe koalicioni i LDK-së me ish partnerët e PAN-it.

Ka qenë ish sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri nuk e ka përjashtuar mundësinë që pas dështimit të koalicionit me LVV-në të shkohet në opsionin e dytë, LDK-AAK- NISMA, një alternativë tjetër për krijimin e qeverisë së Kosovës.

“Nuk e them se nuk vjen në rend të ditës kjo pikë, nëse Kurti nuk arrin ta bëjë qeverinë, nëse nuk ka marrëveshje me LDK-në”, ka thënë Ismet Beqiri.

Po ashtu edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se në rast të dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të formuar koalicion qeverisës, atëherë vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje, por partitë politike duhet të bëjnë një zgjidhje.

“Duke e parë këtë qasje të zotit Kurti, Lëvizja Vetëvendosje është një mashtrim i llojit të vet për qytetarët e Kosovës...Nëse nuk vjen deri te një marrëveshje, partitë politike duhet të ulen dhe të vendosin për zgjidhje të problemit apo për zgjedhje. Unë nuk mendoj që duhet shkuar prapë në zgjedhje”, ka deklaruar Pal Lekaj i AAK-së.

E bazuar në këto qëndrime të thëna publikisht, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri konsideron se më afër është një qeveri nga LDK, AAK dhe Nisma me minoritet, se sa koalicioni i dyshes LVV-LDK.

Image
Gani Qarri

“Dështimi i mundshëm i koalicionit për formimin e qeverisë së re, do ta mbyste që në fillim shpirtin e votuesit të vetëdijesuar dhe vret shpresën e qytetarëve të Kosovës për ndryshim, por zgjedhja pa marrëveshje paraprake e Glauk Konjufcës me 26 dhjetor 2019, për kryetar të Kuvendit, ani pse edhe me votat e vet LDK-së, pothuajse ishte para programuar që ta qoi deri në shkallë refuzimi, disponimin për koalicion ndërmjet LDK-së dhe LVV-s.ë Ndaj mos lëvizja e asnjërës palë nga pozitat e veta të ngurta,duket se po e çon përfundimisht drejt dështimit të pashmangshëm edhe projektin për koalicionin LVV-LDK,që do të ishte një dëshpërim i madh sidomos për votuesit të cilët me 6 tetor të vitit që sapo e lamë pas, votuan me shumicë për ndryshim. Mosarritja e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, as pas gjithë këtyre negociatave, jo vetëm se po e bëjnë gjithnjë e më real dështimin e tyre për formimin e qeverisë së re, por po e rritë edhe rrezikun e rikthimit të PAN-it, në pushtet. Ndërsa rikthimi i PAN-it në pushtet, përveçse mbytë edhe shpresën e fundit të qytetarëve për ndryshim, do të ishte edhe skenari më i keq i mundshëm për popullin e dëshpëruar të Kosovës, që për më tepër se një dekadë ëndërron lirimin e tij nga sundimi i mafio-politikës dhe keqqeverisjet e deritanishme në vend”, thotë analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Megjithatë, sipas Qarrit rreziku i kthimit të PAN-it në bashkëqeverisje me LDK-në mbetet opsion real.

“Pasi që edhe ish sekretari i përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri, së fundi nuk e ka përjashtuar mundësinë që pas dështimit të koalicionit me LVV-në, të shkohet edhe në opsionin e dytë, LDK-AAK- NISMA, si një alternativë tjetër e mundshme për krijimin e qeverisë së Kosovës me gjithë përfshirje e cila është parë e pranueshme edhe për zyrtarët e AAK-së dhe të NISMA-s, por njëkohësisht ky kombinim nuk është kundërshtuar as nga AAK-ja, nga ministri në detyrë Pal Lekaj”, shprehet Qarri.

Më tej, analisti Qarri beson se pas largimit nga Kosova të përfaqësuesit special të Presidentit amerikan Trump, gjithçka do të qartësohet edhe rreth fatit të ndërtimit të qeverisë se re nga partitë e para fituese, LVV dhe LDK.

“Nëse nuk ndihmon as ardhja e ambasadorit Grenell në Kosovë, për formimin e koalicionit ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, atëherë mundë të ketë një qeveri nga LDK, AAK dhe Nisma me minoritete, megjithëse ekziston droja e arsyeshme se një gjë e tillë, do ta tensiononte situatën politike dhe Vetëvendosje do të nxiste protesta të dhunshme në vend”, përfundon analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)