Detaje që si keni dëgjuar më herët, Haradinaj: Si më joshën për ndarjen e Kosovës

  • 24 January 2020 - 11:40
Detaje që si keni dëgjuar më herët, Haradinaj: Si më joshën për ndarjen e Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka lëshuar dje deklarata të rënda kundër tre personave që sipas tij e kanë projektuar dhe proklamuar idenë për shkëmbim me territore.

I ftuar në Top Channel për të folur për padinë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, ai e ka përsëritur deklaratat e tij se Rama ka pasur informacione për këtë ide, e se bashkë me të atë projekt ishin të përfshirë edhe presidenti i shtetit, Hashim Thaçi dhe publicisti Baton Haxhiu. 

Për këtë temë, Haradinaj thotë se është kujdesur që të mos shkaktojë më shumë pasoja në marrëdhëniet ndër shqiptare.  

“Me fanatizëm ka përkrahë idenë e shkëmbimit të territoreve, nganjëherë të quajtur korrigjim i kufijve për ndarje të Kosovës, mirëpo, kam bë kujdes të mjaftueshëm, edhe pse ka qenë një temë e rrezikshme dhe me pasoja, që të mos shkaktoj pasoja të tjera në marrëdhëniet tona ndër njerëzore ndër shqiptare”, ka deklaruar më tutje.

Kryeministri në detyrë i Kosovës shton se kushdo që ka qëndruar prapa kësaj teme dhe që vazhdon me aktivitete për t’a hedhur në jetë do të merr reagimin e njejtë nga ai.

Madje, ai shton se këta persona kanë tentuar që ta joshin që ky t’i përkrahë duke i premtuar se do të mbetet në pushtet në Kosovë për tërë jetën, e do të mbetet në histori.

“Sido që të jetë, nëse dikush që ka qëndruar pas kësaj teme, vazhdon me aktivitete që ndërlidhen me të, jam i detyruar me ju përgjigje, sikur që kam qenë i detyruar me kundërshtu, ju siguroj edhe një që, mu më kanë dërgu njerëz të afërt të gjithë këta, po edhe vetë, mos i dil kundër se është punë e kryme, se kanë vendos se është kështu, se është atje, ti mos u bë budall qysh ti po i del kësaj kundër kur të gjithë jemi për, kanë provu me lobu, kanë provu në mënyra të tjera, kanë provu deri … edhe joshje e tjera, të natyrave të ndryshme, si do të ishte kjo një perspektivë glory për udhëheqësit. Nuk du me hy në atë detaje, por, e konfirmoj dhe e them publikisht me vetëdije si njeri që ka një vetëdije një ndërgjegje të kujdesshme, që po kështu ka ndodhë.

Cila ka qenë joshja, do të mbetesh në pushtet, do të mbetesh i përjetshëm, do bëhesh hero, do të bëhesh i njohur, do të hysh në histori, se ti do të bëhesh ai kjo ajo, do të mbetesh mik i përjetshëm i këtij i atij.

 Shumica e atyre që kanë qenë të kyçur në këtë temë, të gjithë ata që kanë qenë të kyçur.

Z. Thaçi që e ka përkrah shkëmbimin e territoreve të maskuar përmes një korrigjimi të kufijve, ka nënkuptu ndarjen e Kosovës e ka ditë se kjo është ide serbe e kamotshme”, ka thënë mbrëmë Haradinaj.

(Kosova Sot Online)