“Krimi dhe korrupsioni”, raporti më i ri jep ‘shuplakë’ Kosovës

  • 25 January 2020 - 07:43
“Krimi dhe korrupsioni”, raporti më i ri jep ‘shuplakë’ Kosovës

“Informata ka të mjaftueshme dhe njerëz të gatshëm për të përcjellë informacionin, por nuk po ke se kujt të ja përcjellësh. Ju e përcillni informacionin në prokurori, prokurori në vend që të fillon hetimin, ai i tregon të atakuari se ka informacion kundër tij, bile i tregon edhe për denoncuesin. Kjo është tmerr! Diferencën në mes një shteti normal dhe një shteti anarki (Kosovës) e bën prokurori. Ku ka prokurore profesional dhe të vendosur për punë ka edhe shtet, të kundërtën veç e kemi. Pushtet më të mjerueshëm nuk mundë ta gjeni askund. Ky është fundi. Nuk ka ku shkon më keq”, thotë Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas raportit më të ri të organizatës “Transparency International” për vitin e kaluar, Kosova ka shënuar akoma më shumë përkeqësim në luftën kundër korrupsionit.

Sipas raportit, krahasuar me vitin paraprak 2018, sivjet Kosova radhitet e 101-ta me 36 pikë, ndërsa vitin e kaluar vendi ynë ka qenë në pozitë shumë më të favorshme, në vendin e 93-të me 37 pikë.

E lidhur me këto të gjetura negative sa i takon dështimit të sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit, për “Kosova Sot Online” ka folur ekspert i kësaj fushe, Hasan Preteni.

Preteni thotë se trendët negative në luftimin e korrupsionit në Kosovë, fatkeqësisht janë shtuar me të madhe në këto dy vitet e fundit të qeverisjes së vendit nga koalicioni PAN.

Image
Hasan Preteni

“Qe dy vite kemi rënie, kjo po përputhet me kohen kur Kryeministri morri vendim dhe ndër të parët ja rriti pagën veti dhe tërthorazi përfituan të gjithë qeveritarë, edhe prokurorët dhe gjyqtarët Kjo po dëshmon që sa më shumë lek aq me shumë korrupsion”, thotë Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas Pretenit, vërtetësia dhe saktësia e këtij raporti iu ka mbyllur gojën të gjitha institucioneve të drejtësisë së kapur nga politika që po i shpërblen pa meritë, me paga të majme për punën që nuk e bëjnë.

“Nuk pati deklarime publike as nga prokuroritë, as nga gjyqtarët dhe as nga Agjencia Kundër Korrupsionit. Sa për ironi ata këtë vit edhe javën kundër korrupsionit e shënuan me legjislacion. Një javë folën për ligjin për informatorët, kinse ky qenka problemi”, shton eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

Më tej sipas Pretenit, informata dhe informator ka në numër të mjaftueshëm, por për të shkuar gjurmëve të tyre nuk shkon askush, prandaj krimi dhe korrupsioni po trashen e po marrim nga viti në vit raporte të vlerësimit negativ, por që janë reale.

“Informata ka të mjaftueshme dhe njerëz të gatshëm për të përcjellë informacionin, por nuk po ke se kujt të ja përcjellësh. Ju e përcillni informacionin në prokurori, prokurori në vend që të fillon hetimin, ai i tregon të atakuari se ka informacion kundër tij, bile i tregon edhe për denoncuesin. Kjo është tmerr! Diferencën në mes një shteti normal dhe një shteti anarki ( Kosovës) e bën prokurori. Ku ka prokurorë profesional dhe të vendosur për punë ka edhe shtet, të kundërtën veç e kemi. Pushtet më të mjerueshëm nuk mundë ta gjeni askund. Ky është fundi. Nuk ka ku shkon më keq”, deklaron Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sidoqoftë, Preteni uron dhe mbetet me shpresë që së pakut qeverisja e re, duke respektuar legjislacionin ne fuqi, t’i bjerë fshesë dhe ta pastrojë këtë sistem të infektuar me virusin e krimit të organizuar.

“Kërkohet një fshesë kundër korrozionit dhe pastrim i ndërtesës së kuqe në qendër të qytetit (prokurorisë) Aty duhet larguar të gjithë, nga kryeprokurori deri te asistenti i fundit. Mercedesat duhet dërguar në histori. Definitivisht dhe përfundimisht duhet të presim që kjo pranverë duhet të na sjell shpresën”, përfundon eksperti Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)