Shefkije Islamaj shkarkohet nga Këshilli Drejtues i UP’së

  • 21 October 2015 - 20:36
Shefkije Islamaj shkarkohet nga Këshilli Drejtues i UP’së
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka njoftuar për shkarkimin nga pozita e anëtares së Këshillit Drejtues, Shefkije Islamajn, për shkak të shpërfilljes për të ushtruar dhe vepruar sipas parimeve të caktuara me Statutin e UP-së.

Ministria ka bërë të ditur se shkarkimi i rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahu është bërë pa praninë e tre anëtarëve tjerë të KD-së, Isa Qosjen, Ismet Salihun dhe Sigurd Höllinger.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të MASHT-it:

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë njofton opinion që votimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Ramadan Zejnullahu është mbajtur pa praninë e tre anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të emëruar nga Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me datë 23 shtator 2015. Prof. Dr. Ismet Salihu, Prof. Dr. Isa Qosja dhe Univ. Prof. Dr. Sigurd Höllinger nuk kanë marrë pjesë në votimin e mbledhjes së sotme.

Vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës për shkarkimin e rektorit të Universitet të Prishtinës "Hasan Prishtina" e thellon krizën në Universitet dhe dëmton nismat reformuese për përmirësimin e cilësisë.

Së këndejmi, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bazë të dispozitave të nenit 18 të Ligjit nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, ka marrë Vendimin 331/01B për shkarkimin nga pozita të anëtares së Këshillit Drejtues, Dr. Shefkije Islamaj, për shkak të dështimit dhe shpërfilljes për të përmbushur detyrat e postit që ushtron dhe për të vepruar në përputhje me parimet e përcaktuara në Statutin e Universitetit të Prishtinës dhe Ligjin nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës.
(Kosova Sot)