Virusi kinez: Shtete e Bashkuara evakuojnë stafin e konsullatës në Wuhan

  • 26 January 2020 - 09:42
Virusi kinez: Shtete e Bashkuara evakuojnë stafin e konsullatës në Wuhan

Autoritetet amerikane dhanë urdhër të shtunën për evakuimin e diplomatëve dhe qytetarëve nga qyteti Wuhan, i cili është epiqendra e koronavirusit që tashmë është përhapur edhe në pjesë të tjera të botës.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të organizojë një fluturim të veçantë të dielën për t’i larguar nga Wuhan-i stafin e Konsullatës së Përgjithshme dhe familjet e tyre. Raportohet se përmes këtij fluturimi do të largohen rreth 230 persona.

Ky vendim erdhi pas negociatave me Ministrinë e Jashtme të Kinës dhe agjencitë e tjera qeveritare të këtij shteti. Besohet se në Wuhan tash për tash ndodhen rreth një mijë shtetas amerikanë, shkruan “China Daily”. 

Shtete e Bashkuara gjithashtu kanë vendosur që përkohësisht ta mbyllin Konsullatën e Përgjithshme në qytetin e prekur nga virusi.

Në aeroplanin e veçantë do të ketë mjekë amerikanë, të cilët do t’i kontrollojnë udhëtarët dhe do të kujdesen për parandalimin e përhapjes së virusit në rast se ndonjëri nga udhëtarët del të jetë i infektuar.

Ndryshe, Departamenti i Shtetit të enjten i paralajmëroi qytetarët amerikanë që të mos udhëtojnë drejt provincës Hubei të Kinës, ku janë regjistruar më së shumti raste të koronavirusit.

(Kosova Sot Online)