Burri shkel urdhrin e mbrojtjes, tenton të vrasë gruan. Si u shmang tragjedia

  • 26 January 2020 - 13:54
Burri shkel urdhrin e mbrojtjes, tenton të vrasë gruan. Si u shmang tragjedia

Policia ka parandaluar një ngjarje të rëndë në Tiranë, pasi një burrë ka tentuar të vrasë me thikë bashkëshorten e tij.

Mësohet se 61-vjeçari ka shkelur urdhrin e mbrojtjes duke kërcënuar me thikë për vrasje bashkëshorten, në banesë, por falë reagimit të shpejtë të Policisë tragjedia u shmang.

“Pas njoftimit të marrë se shtetasi F. B. kishte shkelur urdhrin e mbrojtjes dhe kishte shkuar në banesën e bashkëshortes dhe pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike e ka kanosur me thikë për ta vrarë, shërbimet e Komisariatit Nr. 2 kanë reaguar menjëherë duke parandaluar ngjarjen dhe duke vënë në pranga 61-vjeçarin”, njofton policia. 

Bashkëshortja e këtij shtetasi ishte e pajisur me urdhër mbrojtje nga Gjykata, pasi 61-vjeçari kishte ushtruar në mënyrë të përsëritur dhunë fizike e psikologjike ndaj saj.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

(Kosova Sot Online)