Vërshime e rrëshqitje dheu, së paku 30 të vdekur

  • 26 January 2020 - 16:00
Vërshime e rrëshqitje dheu, së paku 30 të vdekur

Së paku 30 persona kanë vdekur pas stuhive të fuqishme të shiut që e kanë përfshirë rajonin Minas Gerais, njoftuan shërbimet emergjente të këtij shteti.

Shumë prej viktimave janë mbuluar nga dheu që ka rrëshqitur pas reshjeve të shumta ose janë marrë nga uji i vërshimeve, të cilat u paraqiten për shkak të shiut të madh që ra gjatë të premtes dhe të shtunës.

Më shumë se 2 mijë e 500 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa një televizion lokal publikoi pamje të shtëpive të shkatërruara nga balta e kuqe, shkruan “BBC”.

Meteorologët brazilianë njoftuan se të shtunën, në rajonin Minas Gerais ranë 17 centimetra shi për vetëm 24 orë, që paraqet sasi rekorde që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave për reshje në këtë vend para 110 vjetëve.

Vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut ndodhën në përvjetorin e parë të shembjes së digës në qytezën Brumadinho. Në atë fatkeqësi e kishin humbur jetën 270 persona.

Shembja e digës kishte bërë që një pjesë e madhe e pyjeve të shkatërrohen dhe lumenjtë të ndoten në atë që u vlerësua incidenti më i rëndë industrial në shtetin më të madh të Amerikës Jugore.

(Kosova Sot Online)