Çfarë do të ndodhë: Java vendimtare për koalicionin VV-LDK

  • 27 January 2020 - 07:52
Çfarë do të ndodhë: Java vendimtare për koalicionin VV-LDK

“Futja në grackë e njëra tjetrës, janë tregues që këto dy subjekte nuk kanë vullnet për bashkëqeverisje, por që po mundohet vetëm të fajësojnë njëra-tjetrën për konsum politik në raport me elektoratet e tyre. Futja e LVV-së dhe LDK-së në javën vendimtare për arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës do të jetë e mundimshme, por që do të përcaktojë qartë pozicionin përfundimtar të këtyre dy subjekteve. Gjasat janë të vogla që LVV të bindet për ta sakrifikuar më në fund pozitën e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufcës, për shkak të futjes në kushtëzime të tjera akoma më të rënda e më të mundimshme në të ardhmen e afërt gjatë procesit qeverisës”, thotë Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Edhe java që e lamë pas, kaloi pa dakordimin e LVV-së dhe LDK-së për ta firmosur marrëveshjen për koalicion qeverisës dhe ndarjen e pozitave qeveritare. Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Florim Zeqa, duke parë se tanimë po shpenzohet edhe afati kushtetues 15 ditor, pas mandatimit të Albin Kurtit nga Hashim Thaçi për ta formuar qeverinë e re, thotë se të dy partitë fituese të zgjedhjeve, LVV dhe LDK, të zotuara për bashkëqeverisje me vija të kuqe të vendosura ndaj partnerëve të PAN-it, në veçanti ndaj PDK-së, tani po futen në javën vendimtare për arritjen e marrëveshjes.

Analistit Zeqa thotë se stërzgjatja e arritjes së marrëveshjes politike për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së, e ka shpërfaqur keq situatën në të cilën ndodhet skena politike kosovare, prandaj edhe nënshkrimi i këtij koalicioni pak orë para skadimit të afatit kushtetues dhe nën presion, nuk do të sjellë ndonjë shpresë të madhe tek qytetarët për ndryshimet e premtuara.

Image
Florim Zeqa

“Si e tillë çfarë është skena politike, e pa profilizuar dhe e mbërthyer nga klanet dhe grupet e interesit, nga pazarexhinjë të posteve dhe pozitave shtetërore, gjasat janë që edhe për një kohë të gjatë të vazhdojë "Status Quo"-ja e kontrabandimit të vullnetit të elektoratit, e blerjes dhe shitjes së votës së qytetarëve më lirë sesa vezët në treg,...përderisa më pas, kësaj vote t'i rritet vlera një milion herë për një post politik. U shpreha kështu në mënyrë figurative për të shprehur përfitimet e matrapazëve politik që qesin kushte për ndarje të posteve duke shitur moral, kinse po e bëjnë për të mirën e vendit dhe të ardhmen e qytetarëve, kur tashmë i kanë harruar në tërësi të gjitha premtimet e dhëna qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore”, thotë analisti politik Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, vrapimi pas grabitjes së posteve, ka bërë që LVV dhe LDK t'i harrojnë reformat e premtuara në fushën e sundimit të ligjit, kur çdo gjë në Kosovë është peng i pazareve politike, pa marrë parasysh se cilës parti i ipet mundësia që të hyj në pushtet, gjegjësisht të bëj pazare për përfitime personale.

“Dështimi në arritjen e marrëveshjes dhe futja në tregti për poste me LDK-në, e ka barazuar LVV-në me të gjitha subjektet tjera politike në vend. Përderisa LDK-në, dikur parti e fjalës dhe besës, e cila pa asnjë presion politik e votoi në Kuvend kandidatin e LVV-së për kryeparlamentar, po e dëshmon të kundërtën e saj, duke i kërkuar "partnerit" në bisedime tërheqjen e Glauk Konjufcës nga posti i kryetarit të Kuvendit të zgjedhur me votën e saj! Kjo është loja më e pasinqertë që ka ndodhur ndonjëherë në skenën politike kosovare, përkatësisht mes partnerëve për bashkëqeverisje. Futja në grackë e njëra tjetrës, janë tregues që këto dy subjekte nuk kanë vullnet për bashkëqeverisje, por që po mundohet vetëm të fajësojnë njëra-tjetrën për konsum politik në raport me elektoratet e tyre. Futja e LVV-së dhe LDK-së në javën vendimtare për arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës do të jetë e mundimshme, por që do të përcaktojë qartë pozicionin përfundimtar të këtyre dy subjekteve. Gjasat janë të vogla që LVV të bindet për ta sakrifikuar më në fund pozitën e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufcës, për shkak të futjes në kushtëzime të tjera akoma më të rënda e më të mundimshme në të ardhmen e afërt gjatë procesit qeverisës”, deklaron analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

“Kur kësaj t'i shtohet edhe presioni i filluar ndërkombëtar në procesin e dialogut me Serbinë, gjasat janë që LVV-ja do të pozicionohet në mbrojtjen e fytyrës së saj duke u barrikaduar pas postit të Glauk Konjufcës, si shpëtim nga presioni ndërkombëtar për kompromise të dhimbshme me Serbinë”, përfundon Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)