Separatistët vrasin dy ushtarë të Ukrainës në Donbas

  • 27 January 2020 - 10:25
Separatistët vrasin dy ushtarë të Ukrainës në Donbas

Ushtria e Ukrainës njoftoi se dy pjesëtarë të saj janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në rajonin lindor të vendit, Donbas, ku po vazhdon konflikti me separatistët e përkrahur nga Rusia.

Në deklaratën e publikuar të dielën, ushtria njoftoi se një ushtar u vra dhe një tjetër u plagos nga të shtënat, ndërsa në një rast tjetër, një ushtar u vra dhe një u plagos nga një pajisje e improvizuar shpërthyese.

Megjithatë, në këtë deklaratë nuk u publikuan emrat e ushtarëve të vrarë dhe të plagosur dhe nuk u njoftua për lokacionet ku ndodhën incidentet. 

Njëmbëdhjetë ushtarë të Ukrainës janë vrarë vetëm gjatë janarit, dy më shumë se në dhjetor të vitit të kaluar, shkruan “Free Europe”.

Ushtria i raportoi 12 raste të shkeljes së armëpushimit nga separatistët vetëm të dielën, ndërsa të shtunën i raportoi 10 shkelje.

Më shumë se 13 mijë persona janë vrarë në konfliktin mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve, i cili ka filluar në prill të vitit 2014.

(Kosova Sot Online)