Rama flet pas takimit me Merkel, çfarë u diskutua “kokë më kokë” në Berlin

  • 27 January 2020 - 13:17
Rama flet pas takimit me Merkel, çfarë u diskutua “kokë më kokë” në Berlin

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Berlin ku është takuar sot me kancelaren Angela Merkel, para konferencës së donatorëve për tërmetin, e cila pritet të zhvillohet në 17 shkurt.

Pas takimit, Rama doli në një konferencë për shtyp me Merkel, ku zbuloi tri çështjet kryesore që ka diskutuar me kancelaren, duke u ndalur kryesisht te procesi i rindërtimit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. 

Gjithashtu, temë diskutimi mes Ramës dhe Merkelit ka qenë edhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe bashkëpunimi rajonal.

“Diskutuam për nevojën e madhe që Shqipëria ka, në procesin e vështirë të rindërtimit, i cili duke u bazuar në raportin e dëmeve, hartuar në bashkëpunim me BE, përmban një shumë që është përtej të gjitha mundësive tona për ta përballuar të vetëm.

Kemi diskutuar dhe për perspektivën e integrimit të Shqipërisë dhe bashkëpunimin rajonal, ku roli i Gjermanisë ka qenë i jashtëzakonshëm me procesin e Berlinit.

Në fund, dëshiroj të shpreh të gjithë konsideratën për mënyrën si ka nisur puna e Komisionit Evropian, të them që një dimension më i qartë do të jetë një ndihmë e madhe për ne dhe të gjithë rajonin”, tha Rama.

(Kosova Sot Online)