Paralajmërimi: Ja çfarë do të ndodhë edhe nëse arrihet koalicioni VV-LDK

  • 27 January 2020 - 13:23
Paralajmërimi: Ja çfarë do të ndodhë edhe nëse arrihet koalicioni VV-LDK

“Ky koalicion nëse arrihet, që fillimisht me pompozitet u quajt si koalicion i shpresës, do të jetë një koalicion zorit, i karakterizuar me një mosbesim ndërmjet partnerëve të bashkëqeverisjes, një betejë e brendshme për të marrë merita në çfarëdo që ata do e quajnë sukses në qeverisje, e që po ashtu nuk garanton reformat të thella në fushën e sundimit të ligjit, në këtë sferë ku vendi ka shënuar regres të madh”, thotë Haziri për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse kanë kaluar tani më shumë se tre muaj prej ditës së përfundimit të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike ende nuk e kanë gjetur gjuhen e përbashkët për të bashkëqeverisur.

Krerët e të dy partive politike, LVV dhe LDK kishin premtuar koalicion të shpejtë pas zgjedhor, madje në takim e parë që zhvilluan një ditë pasi kishin përfunduar zgjedhjet e 6 tetorit, patën thënë se koalicioni do të arrihej më së largu brenda 72 orëve, pasi të certifikoheshin zgjedhjet.

Por premtimi i tyre u harrua shpejtë, duke u futur në betejën për ndarjen e pozitave në pushtet.

Lidhur me këtë ngërç të krijuar, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik, Nexhat Haziri, sipas të cilit LVV dhe LDK janë futur në një rrugë pa krye për arritjen e kompromisit.

Image
Nexhat Haziri

“Është shumë vështirë që VV-ja bindet për ta sakrifikuar më në fund pozitën e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufcës, që do të qonte drejtë krijimit të koalicionit qeverisës me LDK-në, për arsye se ky subjekt politik në konceptin e vet ka kapjen e tri pozitave më të larta shtetërore me çka do ta relativizonte rolin e LDK-së në bashkëqeverisje. Pra vendi ka mbet peng i këtyre pazareve të zorshme politike në mes LVV-së dhe LDK, por si të tilla nuk janë se shfaqen vetëm në skenën tonë politike, por edhe në vendet e tjera, dhe kjo nuk paraqet shqetësim të madh për mua, aq sa zhagitja e këtyre negociatave për formimin e qeverisë së re dhe jo seriozitet i partnerëve të mundshëm që shfaqën gjatë bisedimeve në mes tyre”, thotë analisti politik, Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, me këtë qasje të deritanishme të zyrtarëve të LVV-së dhe LDK-së ndaj kapjes së pushtetit, nuk do të kemi koalicion shpresëdhënës dhe funksional si duhet, edhe nëse dallimet tejkalohen në momentin e fundit. 

“Ky koalicion nëse arrihet, që fillimisht me pompozitet u quajt si koalicion i shpresës, do të jetë një koalicion zorit, i karakterizuar me një mosbesim ndërmjet partnerëve të bashkëqeverisjes, një betejë e brendshme për të marrë merita në çfarëdo që ata do e quajnë sukses në qeverisje, e që po ashtu nuk garanton reformat të thella në fushën e sundimit të ligjit, në këtë sferë ku vendi ka shënuar regres të madh dhe çdo raport qoftë nga Brukseli, qoftë nga Vashingtoni dhe organizata të tjera kredibile ndërkombëtare, e shohin si fushën e zezë, e cila ka bërë që Kosova po ashtu të ngecë në agjendën e integrimeve euro-atlantike, ku krimi i organizuar dhe korrupsioni janë fenomene që përcaktojnë politikat qeverisëse në vendin tonë”, përfundon analisti politik, Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)