E lidhi në fyt dhe i tha se do ta mbysë, detaje të tmerrshme se si burri nga Klina tentoi ta vrasë gruan e tij

  • 27 January 2020 - 14:13
E lidhi në fyt dhe i tha se do ta mbysë, detaje të tmerrshme se si burri nga Klina tentoi ta vrasë gruan e tij

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Pejë i  ka caktuar masën e paraburgimit A.T. i cili dyshohet se para katër ditësh ka tentuar ta vrasë bashkëshorten e tij.

Rasti ka ndodhur pasditen e 13 janarit në shtëpinë e çiftit, ku i dyshuari A.T. pas një mosmarrëveshje ka tentuar ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij.

Përmes një komunikate, Gjykata Themelore në Pejë ka bërë të ditur se çifti kishin pasur mosmarrëveshje në vazhdimësi.

Ndërkaq bashkëshorti në ditën kritike kishte qenë nën ndikim të alkoolit. 

“Ditën kritike, i pandehuri duke qenë edhe nën ndikimin e alkoolit, fillimisht e godet gruan e tij me shuplaka dhe grushte, në kokë dhe trup duke i shkaktuar lëndime dhe duke i thyer gishtin e mesëm të dorës së majtë, e me pas e mbërthen në fyt me lidhësen e xhemperit që ajo e kishte veshur duke e shtrënguar dhe duke i thënë se “kom me të mbyt dhe e di se për këtë do të shkoj në burg” mirëpo, në ato momente kishte ndërhyrë djali i tyre i cili arrin t’a largoje të atin ndërsa viktima ik nga shtëpia për të kërkuar ndihme, me ç’rast edhe e lajmëron rastin në polici”, bëhet e ditur në komunikatë.

Gjykata bën të ditur se me këto veprime i pandehuri A.T kishte për të kryer veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë nga neni 173 par.1 pika 1.3 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Të pandehurit A.T i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

(Kosova Sot Online)