ShBA-ja po e heton rrëzimin e aeroplanit me 83 persona në Afganistan

  • 27 January 2020 - 14:56
ShBA-ja po e heton rrëzimin e aeroplanit me 83 persona në Afganistan

Forcat amerikane njoftuan të hënën se janë duke i hetuar raportimet për rrëzimin e një aeroplani në territorin e kontrolluar nga talibanët në Afganistan.

Zëdhënësja e ushtrisë amerikane, Beth Riordan, tha se ende është e paqartë se aeroplani i cilës kompani ka qenë i përfshirë në këtë aksident dhe refuzoi të japë komente shtesë në lidhje me rastin.

Megjithatë, nga disa pamje të publikuara në rrjetet sociale duket se aeroplani i rrëzuar ishte i tipit “E-11A”, i cili përdoret për vëzhgime nga ushtria amerikane, shkruan “Associated Press”.

Më herët, zyrtarët afganë deklaruan se në këtë aksident është përfshirë aeroplani i kompanisë “Ariana Airlines”. Megjithatë, kjo kompani më pas i mohoi këto raportime.

Arif Noori, zëdhënës i guvernatorit provincial, tha se aeroplani u rrëzua rreth orës 13 e 10 minuta sipas kohës lokale në Deh Yak, rreth 130 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Kabul.

Rajoni malor i Ghazni-t shtrihet pranë maleve Hindu Kush dhe është shumë i ftohtë gjatë dimrit. Talibanët e kanë nën kontroll këtë pjesë dhe gjysmën e territorit të Afganistanit.

Industria e aviacionit në Afganistan kaloi nëpër kohë të vështirë gjatë regjimit të talibanëve, kur fluturimet e kompanisë së vetme afgane lejoheshin vetëm drejt Arabisë Saudite.

(Kosova Sot Online)