Koronavirusi, çfarë thonë mjekët e QKUK’së dhe cilat institucione janë aktivizuar?

  • 27 January 2020 - 15:38
Koronavirusi, çfarë thonë mjekët e QKUK’së dhe cilat institucione janë aktivizuar?

Institucionet shëndetësore kosovare janë vënë në gjendje gatishmërie rreth virusit misterioz i cili me shpejtësi të madhe ka nisur që të përhapet në disa prej shteteve më të mëdha në botë. 80 persona deri më tani kanë vdekur e mijëra të tjerë janë prekur nga ky virus në disa prej shteteve më të mëdha. Por sa është Kosova imune ndaj koronarovirusit?. Infektologu kosovar Valbon Krasniqi ka thënë se institucionet kosovare duhet ta shtojnë vigjilencën për ta parandaluar ardhjen e këtij virusi në vend. Ndërkohë në institucionet shëndetësore thonë  se ende nuk është paraqitur ndonjë rast i dyshimtë me virusin e rrezikshëm. 

Autoritetet kineze kanë thënë se aftësia e shpërndarjes së një koronavirusi është duke u rritur. Ndërkohë që është raportuar se 80 persona kanë vdekur dhe më shumë se 2 mijë e 700 persona janë infektuar në Kinë.

Por janë mijëra persona të tjerë që janë izoluar duke e shmangur kështu çfarëdo kontakti me të prekurit. Ndërkohë të prekurit e parë nga korona tashmë janë paraqitur në Australi si dhe Kanadë, Zvicër si dhe Francë.

Por edhe Kosova si thuajse çdo shtet i Ballkanit dhe i Evropës është mobilizuar me masat e para për parandalimin e përhapjes së koronës në vend.

Detaje për këtë sëmundje si dhe për gjendjen në Kosovë ka dhënë të hënën specialisti i sëmundjeve infektive në Klinikën Infektive të QKUK’së, doktor Valbon Krasniqi.  Ai ka deklaruar se deri më tani në Klinikën Infektive të  QKUK’së nuk është paraqitur as edhe një rast i dyshuar me koronë.

“Ne tani për tani në Klinikën Infektive nuk kemi as edhe një rast të dyshuar dhe nuk  është paraqitur asnjë pacient me ndonjë simptomatologji të tillë. Ndërkaq sa i përket masave që duhet të ndërmerren, janë komptetentë zyrtarë të Institutit Kombëtar. Mirëpo tani për tani ne nuk kemi asnjë rast si të dyshuar me këtë virus”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka deklaruar se institucionet shtetërore duhet mobilizuar për ta parandaluar ardhjen e këtij virusi vdekjeprurës në Kosovë.

“Me aq sa ne kemi  arritur që të lexojmë e të shohim nga vendet në të cilat është paraqitur ne e kemi pa se virusi ka ende nevoje që të studiohet, si p.sh. sa mund të qëndrojë në ambiente të jashtme. Ka ende gjëra që duhet të studiohen më në hollësi virusi. Mirëpo ajo që duhet është që të ngritët më shumë vigjilenca dhe vendet në të cilat është paraqitur virusi janë me rëndësi të shmangen”, apelon doktori.

Ndërkohë infektologu tjetër i QKUK’së, Sali Ahmeti në një bisedë për media ka dhënë detaje rreth këtij virusi.

“Ky është një virus i ri, i cili fatmirësisht ende nuk ka ardhë në Kosovë. I përket familjes së koronavirusit. Këto si familje janë të njoftuar edhe më herët, por ky është një tip i ri i cili u shfaq në Kinë”, ka sqaruar  infektologu kosovar.

Ai ka thënë po ashtu detaje se cilat janë simptomat e para të prekjes nga virusi corona.

“Është një virus i cili  fillon si një grip por ka predispozita me dhanë reaksione të shpejta të cilat mund të rrezikojnë jetën e personit të prekur. Fatbardhësisht tek ne ende nuk është shtrirë. Por mos të harrojmë se globalizimi ka krijuar gjasa të mëdha për përhapjen e shpejtë të virusit. Ne lusim që mos të vije tek ne”, thotë ai.

Ahmeti tutje thotë se çdo person i cili vjen në Kosovë nga vendet të cilit mund të jenë prekur me coronë, duhet t’u bëhen analizat e detajuara.

Për situatën është mobilizuar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është duke e monitoruar situatën. Megjithëkëtë, drejtori i IKSHP’së, Naser Ramadani, thotë se Kosova është e rrezikuar njësoj si nga shtetet e tjera.

“Masat që duhet të ndërmerren fatmirësisht në këtë rast janë të ngjashme me masat që ndërmerren kundër gripit dhe gjitha sëmundjeve respiratore që përhapen me shpejtësi. Dhe në këtë kontekst edhe Kosova është e rrezikuar njësoj sikurse edhe shtetet e tjera. Për këtë arsye IKShP prej 31 dhjetorit tashmë është në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare të cilat përcjellin çdo rast”, është shprehur Ramadani.

Ndërkohë rreth asaj se a është ndonjë shtetas i Kosovës në Kinë, institucionet kosovare thonë se janë duke mbledhur informata.

Megjithëkëtë, për parandalimin e ardhjes së virusit janë mobilizuar edhe Dogana si dhe Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit.

Në anën tjetër Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë që rekomandon kujdes të shtuar nga të gjitha institucionet përkatëse për ndonjë rast të mundshëm të këtij virusi në vend.

Mbikëqyrja përfshin edhe angazhimin e një ekipi mjekësor në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili ka detyrë të raportojë në rast se shfaqen persona të dyshimtë me sëmundje ngjitëse.

Disa nga masat e parandalimit përfshijnë shmangien e kontaktit të ngushtë me personat që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes, larja e shpeshtë e duarve, e veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.

(Kosova Sot Online)