“Zgjidhja e fundit për të mbijetuar”, vazhdon zbrazja e Kosovës, ky është alarmi...

  • 28 January 2020 - 07:54
“Zgjidhja e fundit për të mbijetuar”, vazhdon zbrazja e Kosovës, ky është alarmi...

“Arsyet që po i shtynë kosovarët të ikin nga Kosova drejt vendeve perëndimore janë të shumta, filluar nga mungesa e zhvillimit ekonomik, pabarazia qytetare, mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë, funksionimi i keq i sistemit shëndetësor, degradimi i sistemit arsimor e deri tek bastardimi i të gjitha institucioneve shtetërore, të kapura tmerrësisht nga bandat partiake dhe klanet mafioze që ua kanë bërë jetën ferr qytetarëve të vendit”, thotë Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë, po e shohin me shqetësim të madh vazhdimin e trendit në rritje të braktisjes së Kosovës nga qytetarët, të cilët në kërkim të një jete më të mirë, po e lënë vendin e tyre, duke ikur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni i majave të politikës së inkriminuar në udhëheqjen e shtetit.

Sipas analistëve, presioni kryesor që ju bëhet kosovarëve për t’i detyruar që të ikin nga vendi, është ai nga keqqeverisje me shtetin, si armiku më i madh që po i përndjek të rinjtë dhe kategoritë e mesme të fuqisë punëtore.

Sipas analisti politik, Florim Zeqa, është e pafalshme se si tani po vazhdon çdo ditë e më shumë të zbrazet Kosova, krejt kjo për shkak të krimit e korrupsionit në rritje, krizës institucional dhe humbjes së shpresës për ditë më të mira.

Image
Florim Zeqa

“Në kohën kur dy partitë e para, të deklaruara si fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, LVV dhe LDK po shtyhen me bërryla për grabitjen sa më shumë nga "torta qeveritare", qytetarët e Kosovës po e braktisin me të madhe vendin e tyre duke ikur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni i majave të politikës së inkriminuar në udhëheqjen e shtetit. Keq qeverisja me shtetin është bërë armiku më i madh që po i përndjek të rinjtë dhe kategoritë e mesme të fuqisë punëtore dhe jo vetëm, duke i detyruar të kërkojnë shpresë jashtë vendit të tyre. Arsyet që po i shtynë kosovarët të ikin nga Kosova drejt vendeve perëndimore janë të shumta, filluar nga mungesa e zhvillimit ekonomik, pabarazia qytetare, mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë, funksionimi i keq i sistemit shëndetësor, degradimi i sistemit arsimor e deri tek bastardimi i të gjitha institucioneve shtetërore, të kapura tmerrësisht nga bandat partiake dhe klanet mafioze që ua kanë bërë jetën ferr qytetarëve të vendit”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti Zeqa shton se asnjëherë dhe në asnjë periudhë historike, ikja nga vendi nuk ka ardhur si shprehje e dëshirës për tu larguar, por si zgjidhje e fundit për të mbijetuar.

“Rasti i të riut, Labinot Gashi nga Drenasi, është shembulli më tipik dhe më i dhimbshëm i cili e lëshon vendin duke ju dhënë thënë lamtumirë Kosovë, dhe uron politikanët të bëhen milionerë. Do të ishte fat i mirë për vendin, sikur ky të ishte rasti i vetëm, por që rasti në fjalë është vetëm një ekzemplarë nga qindra e mijëra sish që çdo ditë ndodhin, duke ikur me lot ndër sy, me zemër të plagosur dhe ofshamë në shpirt që e mallkojnë duke u larguar vendin që i lindi dhe i rriti, për shkakun e një klase kusarësh politik që Kosovën, nga dita e parë e çlirimit e deri në ditët e sotme po e trajtojnë si plaçkë lufte, ndërsa qytetarët vetëm si numra në zgjedhje për realizimin e orekseve grabitqare për marrjen e pushtetit”, theksoi analisti politik Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

“Zvarritja e arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së ka ndikuar shumë në rritjen e numrit të atyre që çdo ditë po e braktisin Kosovën, dhe tani, pavarësisht arritjes apo jo të marrëveshjes për bashkëqeverisje, këto dy subjekte mbi supet e tyre mbajnë peshën e përgjegjësisë së zbrazjes së Kosovës përgjatë këtyre muajve të fundit”, përfundon analisti Florim Zeqa për “kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)