Media Italiane TG3, reportazh për drogën në Shqipëri. Cilësia e importuar nga Vietnami

  • 28 janar 2020 - 10:33
Media Italiane TG3, reportazh për drogën në Shqipëri. Cilësia e importuar nga Vietnami

Media italiane TG3 ka përcjellë këtë të hënë një kronikë të “zezë” për Shqipërinë, ku flitet në disa detaje mbi rritjen e volumit të sasive të drogës dhe trafikimin e saj drejt Italisë.

Gazetari italian shprehet se nga viti i kaluar prodhimi i kanabisit është rritur me 1200 përqind. Gazetari shpjegon gjithashtu se lloji i bimës vjen nga Vietnami dhe është i modifikuar gjenetikisht për të patur një prodhim të lartë.

“Prodhimi i kanabisit në Shqipëri është sërish në majë të trendit. Nga viti i kaluar është rritur prodhimi i tij me 1200%. Këtë gje e vërtetojnë edhe pamjet që shikoni, të cilat janë siguruar nga raport i Policisë Shqiptare. Janë mbjellë më shumë se 100 mijë bimë të cilat janë fshehur nëpër male.

Kjo është një cilësi e importuar nga Vietnami, e modifikuar gjenetikisht për të pasur sa më shumë prurje. Drejtori i policisë kriminale në Shqipëri shprehej vetëm pak muaj më parë se operacioni i policisë në vitin 2014 kishte nisur në mënyrë që të zhdukte përgjithmonë kanabisin në Shqipëri. Në fakt një vit më parë pati një ulje të konsiderueshme por shifrat për këtë vit tregojnë tjetër gjë”-thotë gazetari në kronikë.

Më tutje kronika jep një sinkron të prokurorit të Leçes Giacomo Cataldi, i cili thotë se mafia shqiptare ka një rol të fuqishëm në trafikun e drogës në Itali.

“Pas trafikimit të kësaj sasie të madhe të kanabisit nga Shqipëria, që është një nga prodhuesit më të mëdhenj, tregon që mafia luan një rol të jashtëzakonshëm dhe gjen hapësirë.gjithsesi nuk pëjashtohet edhe trafikimi i kokainës, ku kriminaliteti gjen më shumë rritje,”- dëgjohet të thotë Cataldo.

(Kosova Sot Online)