Shkencëtarët thonë se dhjetëra mijëra njerëz do të infektohen nga koronavirusi

  • 28 January 2020 - 11:00
Shkencëtarët thonë se dhjetëra mijëra njerëz do të infektohen nga koronavirusi

Sipas shkencëtarëve, koronavirusi vdekjeprurës do të vazhdojë të përhapet në botë për së paku edhe gjatë gjashtë muajve të ardhshëm dhe me të do të infektohen dhjetëra mijëra njerëz.

Së paku 4500 persona janë infektuar deri më tash me këtë virus, ndërsa 106 kanë vdekur. Vendet e fundit ku janë konfirmuar rastet e para janë Gjermania, Sri-Lanka dhe Kamboxhia.

Në raportin e një eksperti nga Universiteti i Torontos, David Fisman, thuhet se në rastin më të mirë, virusi mund të zhduket në fund të verës së këtij viti, shkruan “Daily Mail”.

Shkencëtari Alessandro Vespignani nga Universiteti Verilindor në Boston tha se ky virus nuk është diçka që merr fund javën e ardhshme apo muajin e ardhshëm. 

Nëse virusi vazhdon të përhapet me këtë shkallë, kjo do të thotë se edhe 25 mijë raste të tjera do të paraqiten deri në atë periudhë.

Autoritetet kineze më herët kanë thënë se virusi mund të përhapet mes njerëzve edhe para shfaqjes së simptomave, duke e bërë edhe më të vështirë luftën kundër tij.

(Kosova Sot Online)