Taxhikistani arreston 113 pjesëtarë të dyshuar të “Vëllazërisë Myslimane”

  • 28 January 2020 - 12:04
Taxhikistani arreston 113 pjesëtarë të dyshuar të “Vëllazërisë Myslimane”

Policia e Taxhikistanit i ka arrestuar 113 persona nën dyshimin se janë anëtarë të grupit të ndaluar, “Vëllazëria Myslimane”.

Prokurori i përgjithshëm i këtij shteti, Yusuf Rahmon, tha para gazetarëve se në mesin e personave të arrestuar janë 20 profesorë dhe punëtorë të universiteteve të ndryshme, dy shtetas të huaj dhe një nga qyteti verior, Isfara.

“Qëllimi i këtij grupi është rrëzimi i dhunshëm i qeverisë dhe krijimi i shtetit islamik. Ky grup është shpallur organizatë ekstremiste dhe terroriste në shumë shtete”, tha ky prokuror. 

“Vëllazëria Myslimane” është një organizatë islamike sunite, e themeluar në Egjipt në vitin 1928 nga Hassan al-Banna.

Ndikimi i kësaj organizate ka marrë përmasa ndërkombëtare dhe nga ajo janë ndikuar disa grupe, lëvizje dhe parti islamike në mbarë botën, shkruan “Free Europe”.

Kjo organizatë pretendon se e promovon paqen, por në shumë shtete është shpallur si organizatë terroriste.

Të njëjtin vendim e kishte marrë edhe Taxhikistani në vitin 2006, kur e kishte shpallur grup ekstremist.

(Kosova Sot Online)