Kështu ishte festuar në Drenicë për vdekjen e Rrahman Morinës

  • 28 janar 2020 - 17:44
Kështu ishte festuar në Drenicë për vdekjen e Rrahman Morinës

Pamje ekskluzive të publikuara mbrëmë nga mediat ku shihej për herë të parë se si kishte vdekur Rrhaman Morina, kanë kthyer edhe një herë debatin për figurën e këtij të fundit.

Profesori universitar dhe ish-kandidati për deputet, Blerim Latifi, në një shkrim në profilin e tij ka përshkruar gëzimin e madh që kishte shpërthyer në Prekaz ditën kur ishte dhënë lajmi për vdekjen e Rrahman Morinës.

Latifi ka thënë se mbrëmjen e asaj dite të vdekjes së Rrahman Morinës ishte festuar me armë, duke qenë se kishte vdekur njeriu më i urryer i atyre viteve e tradhtari i madh siç e kishin cilësuar atë kohë.

Sipas Latifit, vdekja e Rrahman Morinës kishte rritur edhe shpresat se do të vinin ditë të mira, megjithatë siç tregon në rrëfimin e tij të nesërmen gjithë atë festë e kishin prishur autoblindat e forcave serbe.

Rrëfimi i plotë i Blerim Latifit :

 Si u prit në Prekaz lajmi për vdekjen e Rrahman Morinës?

Publikimi në media i pamjeve nga vdekja e Rrahman Morinës, më kujtoi një ngjarje të asaj dite. Ishte mbrëmje kur u morr vesh lajmi për vdekjen e tij. Një gëzim i paparë kishte shpërthyer ngado. Njeriu më i urryer i atyre viteve, tradhtari më i madh, siç e quanin të rriturit, nuk jetonte më. Kur ra nata, filluan të shtënat me armë. Ato dëgjoheshin nga të katër anët. Bashkë me disa shokë të lagjës, rrinim në sokak dhe spekulonim se nga vinin të shtënat dhe kush po shtinte Të rriturit nuk e fshehnin gëzimin e madh dhe shpresën se të nesërmen gjërat do të bëheshin më mirë. Gëzimi dhe shpresa e asaj nate, ikën bashkë me të. Të nesërmen disa autoblinda të policisë, në një demonstrim force, defiluan nëpër katund. Ishte kohë lagështie dhe gjurmët e thella që lanë nëpër ara dhe livadhe, nuk u zhdukën një kohë të gjatë. Me vite madje. Nuk pati më gëzime kolektive dhe shpresa se gjërat do të ndryshonin shpejt u venit. Nuk pati as të shtëna. Deri në fundin e dhjetorit të vitit 1991, kur policia dështoi të arrestonte Adem Jasharin në shtëpinë e tij.


(Kosova Sot Online)