Ekspertët: Koronavirusi arrin kulmin brenda një jave

  • 28 January 2020 - 18:36
Ekspertët: Koronavirusi arrin kulmin brenda një jave

Epidemia e pneumonisë virale që tashmë ka shkaktuar më shumë se 100 viktima në Kinë, mund të arrijë kulmin brenda një jave ose 10 ditësh, deklaroi Zhong Nanshan, një nga specialistët më të mirë kinezë të sëmundjeve respiratore.

Bilanci zyrtar tregon për 106 viktima, të gjithë në Kinë dhe për më shumë se 4.500 të infektuar, në pjesën më të madhe rreth Wuhan-it.

“Është e vështirë të parashikosh me saktësi se në cilin çast do të arrihet kulmi, por ky mund të arrihet afërsisht brenda një jave ose 10 ditësh”, tha shkencëtari.

Zhong është i njohur për ndihmën e tij në frenimin e epidemisë SARS në vitet 2002-2003, e cila shkaktoi vdekjen e 774 personave në mbarë botën, nga të cilët 648 në Kinë, përfshirë Hong Kongun.

Sipas tij, norma e vdekshmërisë së pneumonisë aktuale duhet të vazhdojë rënien, falë përpjekjeve të personelit mjekësor dhe pavarësisht mungesës, tani për tani, të vaksinës.

(Kosova Sot Online)