Trump publikon planin për paqe në Lindjen e Mesme

  • 28 janar 2020 - 20:57
Trump publikon planin për paqe në Lindjen e Mesme

Presidenti amerikan Donald Trump bëri sot publik planin e paqes në Lindjen e Mesme duke bërë thirrje për një zgjidhje me dy shtete.

Plani i presidentit amerikan për Lindjen e Mesme parashikon Jeruzalemin Lindor si  kryeqytet palestinez dhe hapjen e ambasadës amerikane atje.

Trump u zotua se asnjë palestinez nuk do të largohej duke thënë se ai kishte bërë “shumë” për Izraelin, por edhe se duhej të ishte i drejtë edhe me palestinezët.

“Është shumë e arsyeshme që duhet të bëj shumë për palestinezët…, përndryshe nuk do të ishte e drejtë”, tha ai.

Trump thotë se Jeruzalemi do të mbetet “kryeqyteti i pandarë” i Izraelit sipas planit të tij të Lindjes së Mesme.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se plani i tij i Lindjes së Mesme për të çuar palestinezët drejt shtetësisë do të përfshinte stimuj ekonomikë siç janë dyfishimi i rritjes ekonomike dhe ulja e papunësisë.

Trump gjithashtu tha se territori që ai do të ndajë për një shtet palestinez, nuk do të zhvillohej nga Izraeli për katër vjet.

“Nëse ata e bëjnë këtë, do të funksionojë”, tha Trump.

Presidenti Trump u ka bërë thirrje kombeve me shumicë myslimane që të mbështesin planin e tij për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme.

“Ka ardhur koha që bota myslimane të rregullojë gabimin e bërë në vitin 1948”, tha Trump duke iu referuar refuzimit për të njohur Izraelin.

“Amerika është e gatshme të punojë me të gjitha palët”, theksoi ai duke shtuar se kishte marrë mbështetje nga e gjithë bota dhe se disa shtete të Gjirit kishin dërguar ambasadorët e tyre në Shtëpinë e Bardhë me rastin e zbulimit të këtij plani.


(Kosova Sot Online)