Vetëvendosjes i vjen paralajmërimi i fortë: Ja çfarë skenari po përgatitët nga SHIK-u...

  • 29 January 2020 - 08:00
Vetëvendosjes i vjen paralajmërimi i fortë: Ja çfarë skenari po përgatitët nga SHIK-u...

“PDK-ja me strukturat e veta dhe të SHIK-ut është duke u përgatitur seriozisht, që të niset në ofensivë serioze opozitare për ta sfiduar, rrezikuar edhe përmes shantazheve, koalicionin qeverisës eventual mes LVV-së dhe LDK-së. Këtë tashmë e ka paralajmëruar ministri në detyrë i drejtësisë Abelard Tahiri, akoma pa u bërë plotësisht funksional Kuvendi i Kosovës, legjislatura e re, ka paralajmëruar kërkesën për formimin e një komisioni hetimor ndaj lidhjeve të VV-së me të ashtuquajturën organizatë kriminale “Syri i Popullit”, thotë Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Florim Zeqa ka reaguar ashpër pas nismës së grupit parlamentar të PDK-së, që në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës ta bëjë kërkesën dhe të fillohet procedura për formimin e një komisioni hetimor parlamentar, i cili sipas zyrtarëve të PDK-së, do të merrej me hetimin e lidhjeve të VV-së me të ashtuquajturën organizatë kriminale “Syri i Popullit”.

Zeqa e vlerëson këtë iniciativë të PDK-së, të iniciuar nga ministri në detyrë i drejtësisë Abelard Tahiri, si një fushatë kundër një lideri politik i cili deri më tash nuk është kapur me asnjë aferë korruptive, dhe ndaj përpjekjeve të ndërtimit të një koalicioni për ndryshime.

Krejt ky shqetësim, sipas analistit Zeqa vjen nga strukturat e inkriminuara të SHIK-ut të futura brenda PDK-së, të cilat po e shfrytëzojnë heshtjen e arsyeshme të LVV-së ndaj rastit “Syri i Popullit” për akuzuar kinse për lidhje me këtë grup.

Image
Florim Zeqa

“Kontaminimi i thellë i skenës politike kosovare dhe lidhjet e fuqishme që mbajnë krerët e partive politike me eksponent të korrupsionit dhe krimit të organizuar ka bërë që të bie imazhi i tyre karshi qytetarëve të vendit. Kush më pak she kush më shumë, të gjitha partitë dhe liderët e tyre janë të lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në këtë aspekt përjashtim bën lideri i LVV-së, Albin Kurti, i cili asnjëherë deri më tani nuk është zënë "mat" në ndonjë aferë korruptive apo kriminale”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Megjithatë, sipas Zeqës aktgjykimi dënues për disa persona të akuzuar për vepra terroriste kundër rendit kushtetues, i ka motivuar krerët e PDK-së që të fillojnë iniciativën për themelimin e një Komisioni hetimor Parlamentar, për të hetuar lidhjen shkakore në mes të Vetëvendosjes dhe organizatës “Syri i Popullit’, iniciativë kjo prapa së cilës është ish SHIK-u.

“Siç duket qartë, krerët PDK-së janë duke e shfrytëzuar heshtjen dhe mos distancimin e VV-së ndaj organizatës "Syri i Popullit", për ta sulmuar dhe dëmtuar imazhin e këtij subjekti para qytetarëve të vendit. PDK-ja me strukturat e veta dhe të SHIK-ut është duke u përgatitur seriozisht, që të niset në ofensivë serioze opozitare për ta sfiduar, rrezikuar edhe përmes shantazheve, koalicionin qeverisës eventual mes LVV-së dhe LDK-së. Këtë tashmë e ka paralajmëruar ministri në detyrë i drejtësisë Abelard Tahiri, akoma pa u bërë plotësisht funksional Kuvendi i Kosovës, legjislatura e re, ka paralajmëruar kërkesën për formimin e një komisioni hetimor ndaj lidhjeve të VV-së me të ashtuquajturën organizatë kriminale “Syri i Popullit”, shton Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas Zeqës, është e drejtë e LVV-së që të mos deklarohet tani rreth këtij rasti dhe akuzave që po i drejtohen, derisa në prioritet është krijimi i qeverisë së re dhe koalicioni me LDK-në, kurse për temën e hapur nga PDK-ja vendi i debatit dhe zbardhjes së vërtetës është Kuvendi.

“Është plotësisht e arsyeshme heshtja e LVV-së në këtë fazë të ndjeshme të negociatave për formimin e qeverisë, por që do të jetë e detyruar pashmangshëm t'u përgjigjet nesër në Kuvendin e Kosovës akuzave të PDK-së, qoftë në pushtet apo opozitë. Ndryshe, heshtja ndaj akuzave të PDK-së do të ishte jo produktive për Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekt që mëton të ndërtoj rend e ligj në Republikën e Kosovës”, përfundon analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)