Parlamenti Evropian e voton sot Marrëveshjen e Brexit-it

  • 29 January 2020 - 09:21
Parlamenti Evropian e voton sot Marrëveshjen e Brexit-it

Parlamenti Evropian pritet t’i miratojë sot kushtet e marrëveshjes me Britaninë e Madhe për largimin e këtij vendi nga Bashkimi Evropian.

Rreth 750 anëtarë të këtij institucioni fillimisht do të debatojnë rreth marrëveshjes në Bruksel dhe, siç pritet, më pas ta miratojnë atë me shumicë të votave.

Ky votim është një zhvillimi historik dhe e paraqet fazën përfundimtare të ndarjes së Mbretërisë së Bashkuar nga blloku i vendeve evropiane. Britania e Madhe pritet që zyrtarisht të largohet nga BE-ja më 31 janar.

Sidoqoftë, mbledhja e së mërkurës do të jetë më tepër e karakterit simbolik. Rezultati i votimit nuk pritet të vihet në dyshim për shkak se marrëveshja tashmë është nënshkruar nga anëtarët e komisioneve kryesore të Parlamentit Evropian.

Ky tubim më tepër pritet të shërbejë për fjalime të përkrahësve dhe kundërshtarëve të marrëveshjes. Disa prej tyre mund të mbajnë fjalime festive, ndërsa të tjerët ta vajtojnë miratimin e marrëveshjes.

Njëri prej politikanëve që pritet të mbajë fjalim sot në Parlamentin Evropian është kryetari i Partisë Brexit, Nigel Farage, i cili ka bërë fushatë për largimin e Britanisë nga BE-ja që nga viti 1999.

(Kosova Sot Online)