Diplomati francez: Puna e Grenellit nuk zvogëlon angazhimin e BE-së

  • 29 January 2020 - 17:26
Diplomati francez: Puna e Grenellit nuk zvogëlon angazhimin e BE-së

Ambasadori i Francës në Beograd, Jean-Louis Falconi, ka thënë se angazhimi i Përfaqësuesit Special të SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, nuk ndikon apo zvogëlon angazhimin e Bashkimit Evropian në përpjekjen për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Falconi ka thënë se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për një dialog dy palësh, ndërkohë ka përmendur vizitën e Përfaqësuesit të Lartë të BE’së, Josep Borell, që do të ndodh gjatë kësaj fundjave.

“BE mbetet e përkushtuar për një dialog dy palësh”, ka thënë ambasadori francez për tanjug..

Sipas tij Josep Borell përgjatë vizitës në Prishtinë dhe Beograd do të bëjë të njëjtën punë sikurse Grenell, për të kontribuar në rinisjen e dialogut dhe gjetjen e një zgjidhje për problemin Kosovë-Serbi.

Këto deklarata të ambasadorit francez vijnë pas një deklarate të emisarit të Donald Trump të dhënë për Gazetën Express, në të cilën konfirmonte se deri tani në punën tij sa i përket dialogut dhe marrëveshjet e arritura nuk kanë qenë të përfshira as Gjermania, as Franca e as Bashkimi Evropian.


(Kosova Sot Online)