Abazi: Zgjedhja e Konjufcës u bë nga frika e cenimit të sigurisë shtetërore

  • 29 janar 2020 - 21:21
Abazi: Zgjedhja e Konjufcës u bë nga frika e cenimit të sigurisë shtetërore

Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi ka thënë se zgjedhja e Konjufcës ishte urgjencë për shkak të sigurisë kombëtare.

Abazi, ka thënë se zgjedhja e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit ishte nevojë për shtetin e Kosovës pasi sipas tij mund të cenohej siguria kombëtare e Kosova ishte pa institucione.

Ai thotë se nuk mund të lejohej vakum institucional në fund të vitit.

“Të zëmë me 28 nëntor para festave do të kishim një rrezik të lartë shtetërorë. Cili ka qenë institucioni kushtetues që do të mbronte sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Unë mendoj që në një republikë parlamentare si është Kosova, Kuvendi është institucioni përgjegjës për këtë punë. Urgjenca ka qenë në pikë kulminante për të formuar Parlamentin”.

Deputeti i Vetëvendosjes thotë se LVV dhe LDK janë në fazën ku nuk është mirë të drejtohet gishti nga njëra-tjetra.

“Ne nuk jemi subjekte kundërshtare. Po negociojmë për të formuar qeverinë”, ka thënë ai në Dukagjini.

Abazi thotë se Vetëvendosje po mundohet të krijojë një precedent që të mos rrëzohet institucioni kryesor i shtetit siç është Kryetari i Parlamentit.

(Kosova Sot Online)