“Patatja e nxehtë”, kjo është frika e Vetëvendosjes dhe LDK-së

  • 30 January 2020 - 07:53
“Patatja e nxehtë”, kjo është frika e Vetëvendosjes dhe LDK-së

“Ekziston dyshimi logjik se, nga frika e mbetjes në dorë e "patates së nxehtë" nga bisedimet me Serbinë, LVV dhe LDK janë duke i bërë vet obstruksionet e marrëveshjes, duke i nxjerrë si mbulesë mosmarrëveshjet në ndarjen e pozitave në qeverisje”, thotë Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Edhe takimi i fundit në mes të Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, në përpjekje për arritjen e koalicionit qeverisës në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së përfundoi pa sukses. Madje për aq sa u pa nga deklaratat e dy liderëve politikë, dallimet janë tepër të mëdha, dhe as optimistët më të mëdhenj nuk mundë të presin ndryshime në qëndrime.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi e ka akuzuar përsëri presidentin e vendit, Hashim Thaçin, se është pikërisht ai që po punon pa ndalshëm për të parandaluar formimin e qeverisë mes LVV-së dhe LDK-së.

“Thaçi me sejmenët tij kanë dy qëllime për të cilat po punojnë pandërprerë: 1. Të parandalojnë formimin e qeverisë LVV- LDK dhe 2. Të realizojnë ndarjen e Kosovës - dhuratë për “dhurimin” e Vuçiqit”, ka shkruar Abazi në Facebook.

E lidhur me këto zhvillime, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik, Florim Zeqa.

Zeqa ka thënë se pavarësisht faktit që mund të ketë shumë faktorë që punojnë pa rreshtur në parandalimin e marrëveshjes qeverisëse LVV-LDK, përgjegjësia kryesor bie mbi këto dy subjekte politike.

Image
Florim Zeqa

“Nëse presidenti Hashim Thaçi është duke punuar për ndarjen e Kosovës, atëherë LVV e LDK mbajnë përgjegjësi të lartë dhe të barabartë, madje shumë më të rëndë që u vonuan kaq shumë në marrëveshjen për koalicion, shkaku i betejës për ndarjen e kulaçit të qeverisjes dhe që nuk arritën që të merren vesh më shpejtë dhe të bëjnë kompromise politike në interesi të shtetit, madje edhe për të iniciuar zbatimin e zotimit të tyre elektoral për përgjegjësin e shkeljes së kushtetutës nga ana e Presidentit, që do të duhej rezultuar me shkarkimin e tij nga detyra dhe nxjerrjen para drejtësisë për ndëshkim sipas ligjit dhe Kushtetutës. Ekziston dyshimi logjik se, nga frika e mbetjes në dorë e "patates së nxehtë" nga bisedimet me Serbinë, LVV dhe LDK janë duke i bërë vet obstruksionet e marrëveshjes, duke i nxjerrë si mbulesë mosmarrëveshjet në ndarjen e pozitave në qeverisje”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Rreziqet para të cilave ndodhet shteti i Kosovës, sipas Zeqës kanë shpërfaqë (mos)marrëveshjen mes LVV-së dhe LDK-së, e cila po të kishte vullnet të dyanshëm për të qeverisur me vendin në këtë fazë të ndjeshme, do të arrihej për 5 minuta e jo më shumë.

“Andaj në këtë situatë, gjëja më e lehtë për të arsyetuar mos arritjen e marrëveshjes është zhvendosja e problemit tek presidenti Thaçi siç ka pohuar deputeti i LVV-së, Haki Abazi se "se pikërisht është Hashim Thaçi, ai i cili po punon për të parandaluar formimin e qeverisë LVV–LDK". Barrikadimi i dy subjekteve pas "ofertave" të ngurta është obstruksion i pastër politik për mos arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Tanimë nuk ju beson askush më lojërave plot hipokrizi dhe makiazhit politik të krerëve të LVV-së dhe LDK-së, të cilët në njërën anë kinse angazhohen për formimin e qeverisë, ndërsa në tjetrën përmes mekanizamave tjerë e minojnë çdo përpjekje në atë drejtim. Ndryshe, do të ishte mjaft e shëndetshme për karrierën e tij politike, sikur Haki Abazi të shprehej lirshëm siç shprehej dikur si analist politik, për të thënë të vërtetën lakuriqe rreth (mos) angazhimeve të sinqerta për formimin e qeverisë”, përfundon analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)