Qytetarët më së shumti përtojnë t’i paguajnë ujin dhe bërllokun, rreth 80 milionë euro borxhe

  • 30 January 2020 - 10:41
Qytetarët më së shumti përtojnë t’i paguajnë ujin dhe bërllokun, rreth 80 milionë euro borxhe

Muaj për muaj, borxhet e qytetarëve ndaj shtetit po rriten. Vetëm për ujë, ngrohje e mbeturina, borxhet e tyre arrijnë në rreth 80 milionë euro. Më së shumti borxhe, ata i kanë ujësjellësit “Prishtina”, kompani kjo që ka paralajmëruar shkyçje të konsumatorëve nga rrjeti për borxhe mbi 100 euro.

Dëshirojnë që t’i kenë në shfrytëzim gjatë tërë kohës, por kur vjen puna te pagesa e faturave “zhduken”. Nga mospagesa e faturave që nga paslufta, borxhet e tyre ndaj Ujësjellësit “Prishtina”, Termokosit dhe Pastrimit, kanë arritur në miliona euro.

Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, thonë se borxhet e konsumatorëve ndaj kësaj kompanie janë miliona euro.

Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arjeta Mjeku, i ka thënë medias, se borxhi total shkon në rreth 46 milionë euro. 

Ajo deklaron se do të përdorin të gjitha mjetet ligjore për t’i vjelë këto borxhe.

“Borxhet janë të akumuluara ndër vite por, dekada e fundit ka kulmuar me mosshlyerjen e borxheve ndaj shërbimeve të ujësjellësit e kanalizimit. Do të përdorim të gjitha mjetet ligjore, pa i përjashtuar shkyçjet individuale nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit”, ka deklaruar Mjeku.

Mjeku ka treguar edhe për borxhlinjtë më të mëdhenj të kompanisë.

“Borxhet më të mëdha janë të krijuar nga sektori i Amvisërisë dhe Bizneset por, pa përjashtuar edhe institucionet, si Komunat, kopshtet, shkollat etj.”, thuhet në përgjigjet e Mjekut.

Për t’i kthyer këto borxhe, të hënën KRU “Prishtina” ka paralajmëruar të gjithë konsumatorët për shkyçje individuale në rrjetin e ujësjellësit ndaj atyre të cilët nuk kanë kryer pagesat në zonat e Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq, Lipjan, Drenas, Podujevë, Shtime e Graçanicë.

‘’Me shkyçje do të përballet secili konsumator që ka borxh mbi 100 euro ndaj shërbimeve të ujit. Borxhi total i konsumatorëve ndaj shërbimeve për ujë dhe kanalizim është mbi 46 milionë euro’’, thuhej në komunikatë.

Përveç ujësjellësit, qytetarët i kanë miliona euro borxh edhe ngrohtores së qytetit. Për t’i inkasuar këto borxhe, në këtë kompani thonë se do t’i përdorin të gjitha mundësitë ligjore.

Zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka, i ka thënë medias se vlera e borxheve të qytetarëve ndaj ngrohtores arrin në rreth 17 milionë euro.

Uka thotë se këto borxhe janë grumbulluar që nga paslufta.

“Aktualisht borxhet që konsumatorët kanë ndaj NP “Termokos” Sh.A, arrijnë vlerën e rreth 17 milion eurove, prej të cilave rreth 15 milion euro janë borxhe të subjekteve banesore, ndërsa rreth 2 milion euro janë borxhe të subjekteve afariste”, deklaron ajo.

E për dallim prej Ujësjellësit, institucionet shtetërore nuk i kanë borxh Termokosit. Sipas Ukës,  institucionet janë parapagues të rregullt të shërbimeve të ngrohjes.

Kosovarët kanë borxhe edhe në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”.

Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arbnora Ademi i ka thënë medias  se vlera e borxheve arrin në rreth 19 milionë euro.

Ademi thotë se këto borxhe datojnë që nga paslufta, dhe se ata synojnë t’i inkasojnë përmes përmbaruesve privat.

(Kosova Sot Online)