Analiza e fortë: Ja hapat, këtu gaboi Albin Kurti me LDK-në...

  • 30 January 2020 - 14:14
Analiza e fortë: Ja hapat, këtu gaboi Albin Kurti me LDK-në...

“Gjendja rreth një mundësie të koalicionit LVV-LDK së pari ka ardhur nga gabimet dhe mosdija e vetë LVV-së dhe Albin Kurtit. Kurti lejoi që brenda LVV-së të infiltrohen njerëz dhe të marrin pozita të cilët potencialisht mund të jenë edhe persona të kamufluar për ta dëmtuar LVV-në dhe Kurtin duke e shtyrë drejt gabimeve të qëllimshme ashtu siç bëri treshja e LDK-së me Vjosa Osmanin. Duke bërë gabime të tilla taktike në vend se të ndërtonte një strategji fituese jo vetëm me vota të qytetarëve por edhe me partitë politike dhe gjithë klasën tjetër pushtet-mbajtëse në forma të ndryshme, Kurti ka shtruar terrenin që të bëhet dashi i kurbanit që të mos ndryshohet më në popull psikologjia e votimit ndryshe por të votohet në forma të njëjta si më herët dhe të mbajnë në pushtet politikën e vjetër”, thotë Kuçi për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik dhe politologu i njohur, Gurakuç Kuçi, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, i cili e ka akuzuar përsëri presidentin e vendit, Hashim Thaçin se pikërisht ai po punon për të parandaluar formimin e qeverisë LVV – LDK.

“Thaçi me sejmenët tij kanë dy qëllime për të cilat po punojnë pandërprerë: 1. Të parandalojnë formimin e qeverisë LVV- LDK dhe 2. Të realizojnë ndarjen e Kosovës - dhuratë për “dhurimin” e Vuçiqit”, ka shkruar Abazi në Facebook.

Image
Gurakuç Kuçi

Mirëpo analisti Kuçi, thekson se janë pikë së pari gabimet në hapat e parë të LVV-së, dhe kauzat personale të liderëve politik, ato që po e pamundësojnë lidhjen e koalicionit LVV-LDK.

“Politika në vendet si Kosova, ku partitë politike nuk kanë një ideologji të caktuar, shteti nuk ka një qëllim të caktuar dhe sistemi politik nuk është i konsoliduar, lojërat politike janë të pista dhe komplet të bazuara mbi interesa dhe kauza personale dhe grupore e aspak shtetërore. Në këto sisteme kryesisht funksionon një klasë uzurpokrate dhe çdo tentim për ndryshim të gjendjes fillon sabotazhi dhe makina e baltës nga uzurpokracia. Gjendja rreth një mundësie të koalicionit LVV-LDK së pari ka ardhur nga gabimet dhe mosdija e vetë LVV-së dhe Albin Kurtit. Kurti lejoi që brenda LVV-së të infiltrohen njerëz dhe të marrin pozita të cilët potencialisht mund të jenë edhe persona të kamufluar për ta dëmtuar LVV-në dhe Kurtin duke e shtyrë drejt gabimeve të qëllimshme ashtu siç bëri treshja e LDK-së me Vjosa Osmanin. Duke bërë gabime të tilla taktike në vend se të ndërtonte një strategji fituese jo vetëm me vota të qytetarëve por edhe me partitë politike dhe gjithë klasën tjetër pushtet-mbajtëse në forma të ndryshme, Kurti ka shtruar terrenin që të bëhet dashi i kurbanit që të mos ndryshohet më në popull psikologjia e votimit ndryshe por të votohet në forma të njëjta si më herët dhe të mbajnë në pushtet politikën e vjetër”, thotë analisti Gurakuç Kuçi për “Kosova Sot Online”. 

Sipas Kuçit, Kurti për të bërë gabime, qoftë në premtime dhe marrëdhënie me partitë tjera, ndërkombëtarët e gjithë masën, ka gjasa se është nxitur nga taktikat ditore që e kanë shtyrë njerëz të infiltruar brenda subjektit të tij, si nga partitë tjera, bizneset oligarke, ashtu edhe nga Presidenti.

“Kurti me gabimet e tij mundet që edhe për një kohë të gjatë të ia zgjasë jetën uzurpokratëve në pushtet dhe ta mbyllë mundësinë e tranzicionit të klasave politike. Kjo ka qenë një strategji e uzurpokracisë që para zgjedhjeve dhe sot po zbatohet nëpërmjet LDK-së, partisë e cila është kapur nga tre persona dhe sot shohim që edhe ata të cilët dalin të flasin nga LDK-ja, vetë gjuha dhe fjalori i tyre leksik por edhe gjuha e trupit tregon se janë të shtyrë pa dëshirë nga treshja të mbajnë qëndrime dhe vija që në një formë tjetër nuk do i kishin mbrojtur kurrë”, shton analisti politik, Gurakuç Kuçi për “Kosova Sot Online”.

“Për më keq, Kurti vazhdon që cinikisht të mbrohet nga vetë njerëzit të cilët e kanë shtyrë drejt gabimeve dhe si duket edhe Kurti është kapur mat tani për shkak se për një grusht vota ka sakrifikuar marrjen afër vetes të njerëzve që nuk janë të infiltruar në kauza që dëmtojnë shtetësinë e Kosovës por edhe të njerëzve që dikur ishin kyç në parti tjera dhe janë të pasuruar nga veprimet dhe paratë e pista”, përfundon politologu, Gurakuç Kuçi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)