Borell interesohet për deklaratën e pavarësisë së Kosovës gjatë takimit me Thaçin

  • 30 January 2020 - 15:54
Borell interesohet për deklaratën e pavarësisë së Kosovës gjatë takimit me Thaçin

Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell, ka vizituar për herë të parë Republikën e Kosovës në cilësinë e shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian.

Në mesditë në zyrën e tij në Prishtinë, Borellin e ka pritur në takim i pari i shtetit, presidenti Hashim Thaçi, ku për 20 minuta kanë diskutuar për një sërë çështjes që ndërlidhen me dialogun, integrimin e vizat.

Ndërkohë Borellit i ka bërë përshtypje Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e cila është e vendosur në presidencë.

Sapo është futur brenda për takimin me Thaçin, Borell është afruar dhe e ka shikuar nga afër Deklaratën, dhe më pas bashkë me Thaçin janë ulur për ta vazhduar takimin.

Josep Borell është ish-ministër i Punëve të Jashtme të Spanjës, ndërkohë Madridi zyrtar vazhdon të mbajë të pandryshueshëm qëndrimin karshi pavarësisë, duke mos e njohur Kosovën si shtet bashkë me 4 vende të tjera të Bashkimit Evropian.

(Kosova Sot Online)