Kompanitë që dyshohen për kurdisje të çmimit të naftës do të ftohen në seanca dëgjimore

  • 31 January 2020 - 11:28
Kompanitë që dyshohen për kurdisje të çmimit të naftës do të ftohen në seanca dëgjimore

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës shumë shpejt do të fillojë me mbajtjen e seancave dëgjimore për kompanitë që dyshohen për kurdisje të çmimit të naftës gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2018, kur çmimi në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjti përkundër rënies së çmimit në berzën ndërkombëtare.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Autoriteti i Konkurrencës ka bërë me dije se pas këtyre seancave, pritet të merret vendimi përfundimtar për kompanitë që janë subjekt i hetimit.

“Lidhur me mbajtjen e seancave dëgjimore, AKK do të njoftojë me kohë të gjitha operatorët që janë subjekt i hetimit”, thuhet në njoftim.

Ky hetim ka filluar në fillim të vitit 2019, kur ishin ngritur dyshime se operatorët e shitjes me pakicë të këtyre derivateve nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale gjatë caktimit të çmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, kur çmimi në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjti përkundër rënies së çmimit në berzën ndërkombëtare.

Sipas AKK’së, derisa në nëntor të vitit të kaluar fitimit i këtyre kompanive ishte rritur për 60% , në dhjetor, fitimi ishte rritur për 124%.

Këto kompani dyshohet se fituan 50 centë në një litër naftë, e cila në bursë, atëkohë ishte blerë për 21 centë dhe në Kosovë ishte shitur për 1 euro e 20 centë.

Ndërkohë, AKK’ja ka njoftuar se është duke përcjellë edhe ankesat e bizneseve lidhur me dyshimet për rritjet e çmimit të çimentos, të aplikuara nga një ndërmarrje që ka pozitë të fuqishmë në tregun e cimentos në Kosovë.

“Bazuar në mandatin e tij, AKK do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës dhe do të njoftojë publikun lidhur me cdo zhvillim të mundshëm rreth kësaj çështjeje”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)