“Plani i Thaçit”, vjen ‘goditja’ dhe paralajmërimi i rëndë për VV-në dhe LDK-në

  • 31 January 2020 - 16:44
“Plani i Thaçit”, vjen ‘goditja’ dhe paralajmërimi i rëndë për VV-në dhe LDK-në

“Nëse vërtetë zyrtarët e LVV-së dhe LDK-së mendojnë dhe kanë sinjale të qarta për obstruksionin që po e bënë presidenti Thaçi,për ta dështuar koalicionin, në mënyrë që ai ta arrijë qëllimin e tij, për ndarjen e Kosovës me Vuçiqin, përgjegjësi pothuajse të barabartë, nëse jo akoma edhe më të rëndë, mbajnë pikërisht LVV dhe LDK që u vonuan kaq shumë dhe nuk po mund të arrijnë marrëveshjen për koalicion ndërmjet tyre”, thotë Qarri për “Kosova Sot Online”.

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së deputetit të LVV-së, Haki Abazi, i cili gjithë fajin për dështimin e koalicionit LVV dhe LDK, së paku deri më tani, ia ka hedhur presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Sipas Abazit, Thaçi po punon në dy fronte për dy qëllime, për të parandaluar formimin e qeverisë LVV– LDK, dhe për të realizuar ndarjen e Kosovës, si dhuratë për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

E sipas analisti Qarri, zyrtarët e LVV-së me këto akuza, po mundohen që ta mbulojnë mashtrimin e tyre të madh ndaj elektoratit, se fare lehtë e shpejtë do bëhet koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së, pasi ndaj PAN-it kishin vendosur vija të kuqe.

Image
Gani Qarri

“Me gjithë euforinë e fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit parlamentare, pas negociatave të pasuksesshme rreth katër mujore me LDK-në, mjerisht pritja për kthesë historike, po kthehet në frikë të dështimit të madh të shpresës pas zgjedhore, që qytetarët e vendit, që për herë të parë pas më tepër se dy dekadave të çlirimit të Kosovës, nga 6 tetori i vitit 2019, e deri më tani, me të drejtë kishin shpresë. Madje, për fat të keq, LVV si fituese e zgjedhjeve,përveç shfaqjes së trumbetimeve triumfaliste, nuk diti edhe të sillej si fituese, dhe as pas gati katër muajsh, nuk po arrin të krijojë koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke dëshpëruar elektoratin dhe zhgënjyer keq, të gjithë qytetarët e Kosovës”, thotë analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”. 

Më tej, Qarri thotë se në një rast të tillë, LVV dhe LDK do të duhej shkëputur plotësisht nga interesat partiake , për ta bërë qeverinë dhe parandaluar Thaçin në një projekt të tillë.

”Nëse vërtetë zyrtarët e LVV-së dhe LDK-së mendojnë dhe kanë sinjale të qarta për obstruksionin që po e bënë presidenti Thaçi,për ta dështuar koalicionin, në mënyrë që ai ta arrijë qëllimin e tij, për ndarjen e Kosovës me Vuçiqin, përgjegjësi pothuajse të barabartë, nëse jo akoma edhe më të rëndë, mbajnë pikërisht LVV dhe LDK që u vonuan kaq shumë dhe nuk po mund të arrijnë marrëveshjen për koalicion ndërmjet tyre. Madje, shkaku i betejës për pushtet e jo për shtet dhe lakmia në ndarjen e kulaçit të qeverisjes,LVV dhe LDK, jo vetëm se nuk arritën as pas gati katër muajsh që të merren vesh dhe bëjnë kompromiset e nevojshme politike në interesit të shtetit, por me moskrijimin e qeverisë së re,nuk po arrijnë të iniciojnë as zbatimin e zotimit të tyre elektoral për përgjegjësin e shkeljes së kushtetutës nga ana e Presidentit kuisling të vendit, që do të duhej rezultuar me shkarkimin urgjent nga detyra e të parit të shtetit dhe nxjerrjen e tij para drejtësisë për ndëshkim sipas ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës”, deklaron analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)