Zyrtari i VV’së: Qeveria Kurti i kryen punët më të rëndësishme, jo të gjitha

  • 01 February 2020 - 12:36
Zyrtari i VV’së: Qeveria Kurti i kryen punët më të rëndësishme, jo të gjitha

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani, ka thënë se miqtë e progresit e shtetit të Kosovës duhet t’i bashkohen Qeverisë Kurti, derisa ka shtuar se kjo qeveri nuk do t’i rregullojë të gjitha punët, por do t’i kryej ato më të rëndësishmet.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Zogiani ka thënë se ky shtet nuk bëhet nga qeveria, por nga secili prej nesh.

“Një shtet për të githë, e jo vetëm për disa, duhet të jetë qëllimi. Ky shtet nuk bëhet nga qeveria, por nga secili prej nesh. Shoqërisë kosovare duhet kthyer besimi se ky vend mund të bëhet”, ka shkruar Zogiani.

Ndërkohë, kanë kaluar 118 ditë prej kur u mbajtën zgjedhjet dhe Vetëvendosje doli fituese. Më shumë se një muaj kanë kaluar prej se është votuar Kryetari i Kuvendit dhe është hapur mundësia e votimit për Qeverinë e Kosovës. 

Dy liderët e partive, VV-së dhe LDK-së kanë ndërprerë takimet për më shumë se një javë dhe komunikimin e vetëm publik e kanë bërë me shkëmbimin e dy letrave të cilat përmbajnë ofertat e njëra tjetrës se si të formohet qeveria.

Deri më tash VV dhe LDK kanë dështuar ta arrijnë marrëveshje shkaku i mospajtimeve për të ndarë pozitat shtetërore. Tash janë bllokuar te pozita e Kryetarit të Kuvendit që e ka marrë Vetëvendosje në seancën e 26 dhjetorit.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë dështuar të arrijnë marrëveshje edhe më shumë se tre muaj prej se kanë përfunduar zgjedhjet. Madje, s’janë pajtuar për ndarjen e pozitave as pas votimit të Kryetarit të Kuvendit në fund të vitit të kaluar. Prej gjashtë muajsh, Kosova vazhdon të funksionojë me Qeveri në dorëheqje.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa ishin takuar një ditë pasi kishin përfunduar zgjedhjet e 6 tetorit. Kishin thënë se koalicioni do të arrihej më së largu 72 orë pasi të certifikoheshin zgjedhjet.  Tash, kur më 26 dhjetor është votuar Kryetari i Parlamentit, Vetëvendosje po refuzon të kthehet prapa dhe të shkarkojë ose detyrojë të japë dorëheqje njeriun që i kishte qëndruar Kurtit afër edhe kur pjesa më e madhe e njerëzve të partisë ia kthyen shpinën.

Kurti ka thënë se Glauk Konjufca s’është Kadri Veseli për ta shkarkuar kur dy liderë partish merren vesh.

(Kosova Sot Online)