Përfundon gjithçka, ja kur mblidhet LDK për marrëveshjen me VV-në

  • 01 February 2020 - 19:32
Përfundon gjithçka, ja kur mblidhet LDK për marrëveshjen me VV-në

Tashmë ka përfunduar gjithçka sa i përket marrëveshjes për koalicion mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. "Kosova Sot Online" nga burime brenda LDK-së, bën të ditur se VV ka pranuar që posti i kreut të Kuvendit t'i takojë LDK-së. 

E për marrëveshjen me Vetëvendosjen, LDK do të mblidhet nesër në ora 13.

 

"Nesër (e diel), më datë 2 shkurt 2020, në orën 13:00, në selinë e LDK-së, mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së", thuhet në thirrjen që LDK u ka drejtuar deputetëve dhe antëarëve të Këshillit të Përgjithëshëm, shkruan "Kosova Sot Online".

"Kosova Sot Online", ndërkaq, ka mësuar nga burimet e saj detaje të marrëveshjes së koalicionit VV-LDK.

Në qeverinë e re të vendit, të cilën do ta udhëheqë kreu i VV’së, Albin Kurti, do të jenë gjashtë ministra nga radhët e partisë së tij.

LDK’ja do t’i ketë po ashtu gjashtë ministra në Qeverinë Kurti, ndërsa tri ministri do të udhëhiqen nga përfaqësues të pakicave në vend.

Mësohet se dy partitë kanë vendosur që për postin e presidentit të vendit – mosmarrëveshjet rreth të cilit e kanë bllokuar prej muajsh marrëveshjen mes tyre – të diskutojnë në të ardhmen.

Partia e Albin Kurtit dhe subjekti që udhëhiqet nga Isa Mustafa sipas të gjitha gjasave do ta bëjnë qeverinë të hënën.

Më 3 shkurt, e hënë, është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re të vendit.

Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës.

Kurti mori më 20 janar mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa kërkoi që Kuvendi të mblidhet një ditë para skadimit të afatit kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë.

Kërkesa e tij u bë teksa ende nuk është arritur marrëveshja e pritur me LDK’në për formimin e qeverisë. 

(Kosova Sot Online)