Vetëvendosje pyet përmes referendumit anëtarët e partisë: Jeni pro apo kundër marrëveshjes

  • 02 February 2020 - 14:02
Vetëvendosje pyet përmes referendumit anëtarët e partisë: Jeni pro apo kundër marrëveshjes

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur procesin e referendumit për t’i pyetur anëtarët nëse janë pro apo kundër marrëveshjes së koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në fletvotimin e siguruar nga Express nuk ka opsion të abstenimit por vetëm pro dhe kundër.

Në mëngjes, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, paralajmëroi see sot do të nisë referendumi në partinë e tij për të aprovuar marrëveshjen e arritur me LDK’në për bashkëqeverisje.

Në konferencën për shtyp pas arritjes së pajtimit me LDK’në, Kurti ka thënë se Vetëvendosje ka filluar përgatitjet për referendum partiak. 

“Punët veç kanë nisur për referendumin në Vetëvendosje. LDK do ta çojë marrëveshjen në Këshillin e Përgjithshëm. Kështu e parashohin statutet e subjekteve tona”, ka thënë Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje bazuar në Statutin e partisë obligohet të organizojë referendum për secilën marrëveshje për bashkëqeverisje. Të njëjtin model e ndjekin edhe kur votojnë Shefin e Partisë.

Bazuar në të dhënat e VV’së janë mbi 40 mijë anëtarë të kësaj partie që do të japin votën e tyre pro apo kundër që Albin Kurti të bëhet Kryeministër në marrëveshjen e arritur sot me LDK’në pas një beteje 120 ditore.

Referendumi do të përfundojë brenda ditës në mënyrë që lideri i VV’së të shkojë nesër për në Parlament me aprovim partiak.

(Kosova Sot Online)