Ç’do të ndodhë pas Brexit-it dhe çfarë nënkupton periudha e tranzicionit

  • 02 February 2020 - 14:26
Ç’do të ndodhë pas Brexit-it dhe çfarë nënkupton periudha e tranzicionit

Largimi zyrtar i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nuk është fundi i rrëfimit për këtë ngjarje. Pak gjëra do të ndryshojnë në shkurt, sepse të dyja palët tashmë do të kalojnë nëpër periudhën e tranzicionit prej 11 muajve, gjatë së cilës do t’u japin formë marrëdhënieve të reja mes vete.

Përpos tregtisë, pjesëmarrësit e negociatave po mundohen t’i zgjidhin edhe disa çështje të tjera, përfshirë sigurinë, energjisë, transportin, të drejtat e peshkimit, shkëmbimin e të dhënave dhe të drejtat e qytetarëve. 

Kështu, gjatë periudhës së tranzicionit, liria e lëvizjes do të vazhdojë të zbatohet njësoj si më parë deri më 31 dhjetor të këtij viti. Kjo vlen për qytetarët britanikë dhe qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian, shkruan “Metro UK”.

Pas përfundimit të periudhës së tranzicionit, britanikët që jetojnë në zonën e BE-së do të jenë të detyruar t’i përfundojnë procedurat administrative, të vendosura nga qeveritë e secili shtet, në mënyrë që t’i kenë edhe më tutje të drejtat e lirisë së lëvizjes.

Sa i përket udhëtimit, fluturimet, lundrimet e anijeve dhe qarkullimi i trenave do të vazhdojnë pa ndonjë ndryshim.

Edhe lejet e vozitjes që janë lëshuar nga Britania e Madhe do të vazhdojnë të njihen në vendet e Bashkimit Evropian gjatë periudhës së tranzicionit. Pas përfundimit të kësaj periudhe, do të varet nga negociatat mes dy palëve se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të kësaj periudhe.

(Kosova Sot Online)