Irani ofron 80 mijë dollarë për secilën viktimë të aksidentit, Ukraina e pakënaqur

  • 03 February 2020 - 09:34
Irani ofron 80 mijë dollarë për secilën viktimë të aksidentit, Ukraina e pakënaqur

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë se Irani i ka ofruar 80 mijë dollarë dëmshpërblim për secilën viktimë të aksidentit ajror të 8 janarit, por vendi i tij nuk e ka pranuar këtë ofertë, sepse është shumë e vogël.

“Sigurisht, jeta e njeriut nuk mund të matet me të holla, por ne do të bëjmë përpjekje për më shumë dëmshpërblime për familjet e viktimave”, tha presidenti Zelenskiy.

Forcat e mbrojtjes ajrore të Rojeve Revolucionare të Iranit e rrëzuan aeroplanin e kompanisë “Ukraine Airlines” disa minuta pas ngritjes në qiell, duke lënë të vrarë 176 persona.

Irani ka thënë se e ka rrëzuar aksidentalisht aeroplanin civil dhe premtoi se do t’ia dorëzojë Ukrainës kutitë e zeza për t’i analizuar, shkruan “Free Europe”.

Megjithatë, presidenti ukrainas tha se Irani ende nuk i ka dorëzuar kutitë e zeza, ndërsa zyrtarët iranianë më vonë thanë se specialistët ukrainas do të udhëtojnë në Teheran për t’i bërë analizat e kutive.

Zelenskiy tha se Ukraina dëshiron t’i marrë kutitë e zeza, pavarësisht ngurrimit të Iranit për një gjë të tillë.

(Kosova Sot Online)