Pak para seancës, Albin Kurtit po i kërkohet Ministria e 13-të

  • 03 February 2020 - 10:19
Pak para seancës, Albin Kurtit po i kërkohet Ministria e 13-të

Veton Berisha, deputeti egjiptian, ka bërë të ditur se do të takohen me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për koordinim për votimin e Qeverisë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë në një deklaratë për mediat se në parim janë pajtuar për ta votuar Qeverinë Kurti, por ka shtuar se kërkojnë të marrin përgjegjësi në qeveri.

“Do të kemi takim tani me Kurtin për të koordinuar për votimin e Qeverisë. Në parim e votojmë por e kërkojmë Ministrinë e 13-të”, ka thënë ai.

Ai tha se komuniteti egjiptian ka kapacitete dhe pret që t’i besohet një ministri. Pavarësisht kësaj, ai tha se do ta votojë qeverinë.

”Vetëm sa erdhëm në Kuvend dhe sot po pritet me u dakorduar me z.Kurti, ta shohim a po pajtohen me kërkesat tona dhe me ofertën tonë. Është programi i qeverisë për zhvillimin e komunitetit, komunitetit egjiptian në këtë rast. Ne prej fillimit kemi thënë që jemi të interesuar të marrim përgjegjësi në qeveri që me marrë për herë të parë me pas komuniteti egjiptian një ministri, kemi kapacitete, kemi mundësi dhe po e shqyrtojmë këtë mundësi. Po shpresojmë që ministria e 13 që veçse ka dal në opinion me na u besua neve, për shkak që është e mundshme me kushtetutë dhe vetëm duhet vullnet politik”, tha ai.

Berisha tha se në parim janë për të votuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, pasi shtoi se nuk janë për të penguar.  Sa i përket asaj se a ka dakordim brenda grupit parlamentar 6+, Berisha tha se edhe brenda grupit ka përçarje, pasi të gjithë duan të marrin ministrinë që u takon komuniteteve.

(Kosova Sot Online)